Home / Sport / 2012-ta, viti i Ibraimit

2012-ta, viti i Ibraimit

Viti 2012 në aspektin sportiv mund të cilësohet si vit i shënuar në tërësi nga tetovari Agim Ibraimi. Fitues i kampionatit slloven, Kupës dhe Super-Kupës së Sllovenisë, paraqitje shumë të mira në Liga Evropa me Mariborin dhe futbollist më i mirë në kombëtaren e Maqedonisë për të cilën në tre ndeshjet e fundit shënoi tre gola, kundër Kroacisë, Serbisë dhe Sllovenisë. Këta suksese Ibraimin e në të fitojë një sërë çmimesh, i shpallur sportisti dhe futbollisti më i mirë i vitit në manifestimin tradicional të organizuar nga Klubi i atletikës Studenti dhe Lidhja shqiptare e futbollit në Austri, ndërsa së fundmi nga Federata e Futbollit të Maqedonisë u shpall ‘Futbollisti më i mirë i vitit në Maqedoni’, si dhe ‘futbollisti më i mirë nga Maqedonia që luan jashtë vendit’. Pikërisht për këtë qëllim, në vazhdim si intervistë ekskluzive të fundvitit, ju sjellim bisedën me futbollistin Agim Ibraimi.

Koha: Agim duket se viti 2012 përfundimisht ishte viti juaj.
A. Ibraimi:
Normal se vështirësitë në futboll gjithmonë janë prezente dhe sa i përket vitit 2012 ka qenë për mua një vit mjaft i suksesshëm. Faleminderit Zotit që nuk kam patur lëndime, që ka qenë gjëja më kryesore për mua, ndërsa sa i përket suksesit, atë mund ta arrish vetëm me punë maksimale dhe me dëshirë për përmirësim. Nëse nuk ke dëshirë ndaj punës, ndaj profesionit dhe sportit, atëherë më mirë mos meresh me profesionin që bën.

Koha: Ju punoni dhe luani për të fituar, por kur vijnë vlerësimet tjera prej institucioneve të ndryshme, sa ndjeheni i kënaqur?
A. Ibraimi:
Normal se shpëblimet nga institucionet janë motivacion për të dhënë më shumë në të ardhmen. Secili sportist, secili futbollist në fillim të vitit i vendon vetes një cak që duhet të arrijë. Kështu që unë gjithmonë bëj një plan për të patur cak një sukses më të madh se vitin paraprak. Edhe pse ardhja ime në NK Maribor ishte një ndër hapat më të mëdhej dhe më të rëndësishëm në karierën time. Sepse të dalish si 17 vjecar nga shtëpia si një i ri i vetmuar jashtë është shumë e vështirë, mirëpo deshti fati që të punoj shumë dhe të arrij sukses. Për këtë qëllim shpërblimet, çmimet dhe dhuratat që vijnë janë motivacion për të ardhmen.

Koha: Keni lënë pas një 2012 fantastike ku me Mariborin fituat kampionatin, Kupën dhe Super Kupë dhe për të dytin vit me rradhë Maribori luajti në grupet e Liga Evropës.
A. Ibraimi:
Dua ta them se para se të kaloja te Maribori isha në lloj-lloj klube të ndryshme, mirëpo kërkoja atë klubin profesional ku përveç futbollit nuk do mendoja asgjë tjetër. Kalova në NK Maribor, ku vështirësitë që kisha më parë, prej NK Nafta-s, pa pagë mujore për 6 muaj, dihet se as një njeri i thjeshtë nuk mund të punojë, pasi dihet se paga është motivacioni. Mos e zgjas, gjatë këtyre vështirësive më zgjati dorën Zllatko Zahoviç, i cili bisedoi me menaxherët e mij dhe padyshim e pranuam ofertën. Vërtet ishte ofertë tërheqëse edhe pse nuk isha në formën e duhur, mirëpo në atë periudhën kur bisedoja me Zahoviçin, mbaj mend se më tha se do të punosh dhe do mendosh vetëm për futboll. Ky klub është vetëm për futboll, ndërsa për gjërat tjera nuk do brengosesh, pasi asgjë nuk do të mungojë në këtë klub. Dhe vërtet ashtu ndodhi, kushtet ishin fantastike, edhe pse dikush mund të thotë se Maribori është klub në Ballkan dhe u ngjan klubeve tjera. Unë u them se s’është ashtu, sepse sikur të ishte njëjta, nuk do të isha dy vite rradhazi në NK Maribor. Jemi një kolektiv shumë i organizuar dhe i’a arritëm qëllimit që pas 10 viteve për herë të parë të luajmë në grupet e Liga Evropës. D.m.th. ishte motiv i madh për ne, pasi në Slloveni edhe sot e këtë ditë nuk kemi konkurencë, ndërsa dihet se Liga e Evropës është një kompeticion të cilin prej në fëmijri e shikoja në television dhe kur rritesh dëshiron të provosh atë. Është diçka e mrekullueshme, plotësim i një ëndëre dhe shpërblim nga ana e Zotit për punën që bën vazhdimisht. Plus kësaj mundësi e mirë që gjithë shokët, familja që s’mund të vijnë në ndeshjes, të shikojnë në televizion.

Koha: Folët për Mariborin, por duket se paraqitjet e mira të njëpasnjëshme jui ngritën vetëbesimin, duke sjellë në cdo ndeshje të re një Agim më të fuqishëm.
A. Ibraimi:
Mund të them se gjithë kjo është meritë e klubit, stafit teknik të Mariborit, që janë shumë motivues të mirë, para ndeshjes, pas ndeshjes, para humbjes, pas humbjes, para fitores, e kështu me rradhë. Nuk ka dilemë se Maribori është skuadër shumë e përsosur, posaçërisht për lojtarët e rrinjë.

Koha: Mbi të gjitha ata besojnë te ju?!
A.Ibrahimi:
Zllatko Zahoviç është një prej personat më të përsosur të futbollit që kam takuar unë. Darko Millanic është trajneri që ka qenë 7-8 vite në Grac, ka qenë kapiteni i kombëtares së Sllovenisë. Mjaftojnë këta të arritura që kanë ata dy, për të kuptuar kush janë. Kështu që kur ke punë me njerëz të këtillë, detyra kryesore është vetëm të luash. Motoja e tyre është të kënaqesh dhe të shijosh lojën. Dmth nëse ti kënaqesh në lojë, atëherë ke luajtur mirë, e ke dhënë maksimumin. Faktikisht punohet shumë, stërvitja është si lojë, dhe në secilën seancë stërvitore duhet të jesh më i miri, për ta bërë më të fortë vendin në 11-shen e parë.

Koha: Gjërat disi lidhen ndërmjet veti, paraqitjet e mira te Maribori ju dhanë vetëbesim në kombëtaren e Maqedonisë, ku vazhdimisht jeni në mesin e më të mirëve. Ka lidhje kjo me paraqitjet te Maribori?
A. Ibraimi:
Është e vërtetë se krejt suksesi vjen prej te Maribori, por normalisht edhe me punën time, dëshirën time ndaj punës që bëj dhe qëndrimi im për futbollin. Nuk është hobi im, por profesioni im, puna ime dhe gjithë jeta ime është e lidhur me futbollin dhe pa të nuk mundem. Lidhet forma e mirë me Mariborin, pasi sa më shumë ndeshje të zhvillosh gjatë vitit më mirë. Stërvitja është stërvitje, ndërsa ndeshja ka një tjetër adrenalin, ndaj kundërshtarit, ke publik që ndjekin takimin dhe vijnë kritika pozitive dhe negative. Ne jemi profesionist dhe këta gjëra janë si një mirdita për ne. Normal me lojat e mira kam pritur ftesën për të qenë standard në kombëtaren e Maqedonisë, pasi vitin e kaluar zhvillova 33 ndeshje për një gjysmësezon, tani kam 34, dmth isha mjaft i përgatitur jo vetëm prej stërvitjeve, por edhe nga ndeshjet e zhvilluara. Nga ana tjetër unë nuk friksohem nga konkurenca, pasi gjithë jemi njerëz dhe unë besoj në veten time për të gjetur vendin tim. Por e përsëris se suksesi vjen nga Maribori.

Koha: Ju pritnit të luani dhe luajtët. Por atë qe bëtë aq mirë sa që ky sezon mbase do t’ua ndryshojë kahjen e jetës suaj?
A. Ibraimi:
Më kujtohen fjalët e Zahoviçit dhe trajnerit të Mariborit, të cilët thonin dhe tonë gjithnjë se ne lojtarët duhet të kënaqemi në lojë. Kështu edhe në kombëtare hyja me atë mendim dhe me vetëbesim se do të luaj si në Maribor, kështu që merja topin dhe shpresoja që të kem sukses në atë që mendoj ta bëj. Falë Zotit, i Plotëfuqishmi shpesh më shpërblente me gola dhe assiste.

Koha: Agim mund shkurt të flisni për tre-katër paraqitjet e fundit me Maqedoninë, kur lojat tuaja të mira ju bën lojtar kyç i kombëtares, duke bërë që tifozët maqedonas që shanin shqiptarët, kësaj rradhe të thurin elozhe për ju.
A. Ibraimi:
Dua të cek në fillim se në kombëtare ndërmjet futbollistëve nuk egziston nacionalizmi. Shumica e lojtarëve janë maqedonas dhe ata na përkrahin maksimalisht. Dua të cek se të luash në cilin do reprezentacion është meritë e madhe për një lojtar. Unë jam qytetar i Tetovës, e dua Tetovën, kështu që normal se do të luaj për Maqedoninë, pasi edhe Tetova gjendet në Maqedoni. Ky shtet prej moshës 16-të vjeçare më ka ofruar kushte të mira për të qenë anëtar i kombëtares dhe asnjë reprezentacion tjetër nuk më ka ofruar asnjëherë asgjë dhe normal që do luaj për Maqedoninë. Sa i përket politikës së tifozëve që vijnë dhe bëjnë sharje të ndryshme ndaj neve shqiptarëve, mua nuk më bën përshtypje, pasi gjëra të tilla kanë egzistuan dhe do të egzistojnë. Mirëpo ata që kuptojnë në mënyrë të drejtë sportin, dhe shikojnë futbollin si sport, ata nuk na kanë sharë asnjëherë. Janë disa punë shumë të qarta, huliganizmi është i pranishëm në futboll dhe do të jetë. Tani kush na shan neve, nuk më intereson fare, pasi koncentrohemi maksimalisht në lojë. Sa u përket golave kundër Kroacisë, Serbisë dhe Sllovenisë, kjo nuk është vetëm meritë e imja, është meritë e gjithë futbollistëve të kombëtares së Maqedonisë, ku luajmë pa presion, jemi shokë të mirë, është formuar një kolektiv i vërtetë dhe merita është e të gjithve.

Koha: Pas gjithë sukseseve me Mariborin dhe kombëtaren e Maqedonisë vijnë edhe shpërblimet. Ju së pari u zgjodhët sportisti dhe futbollisti më i mirë shqiptar në Maqedoni në organizmin e Shoqatës së atletikës Studenti dhe Lidhjes shqiptare të futbollit në Austri.
A. Ibraimi:
Kjo arrihet vetëm me punë. Suksesin që kam arritur dhe pastaj shpërblimin e kam bërë me punë, por unë nuk dua të ndalem në vitin 2012, nuk kënaqem me kaq dhe gjithë këto suksese dua t’i përsëris në 2013 dhe ndoshta të arrij edhe më shumë se vitin 2012. Çmimi i sportistit dhe futbollistit të vitit më ka bërë shumë përshtypje në momentin kur kam ndëgjuar për këtë gjë. Është meritë e madhe dhe kënaqësi, posaçërisht që organizohet nga shqiptarët. Mendoj se kjo duhet të organizohet edhe më gjërë, jo vetëm në Tetovë. Normal jam shumë i kënaqur me këto shpërblime, shpresoj, besoj dhe premtoj se në të ardhmen do të jap maksimumin.

Koha: Në anën tjetër vjen edhe Çmimi ndoshta edhe më i rëndësishëm deri tani. Federata e Futbollit të Maqedonisë ju shpall futbollisti më i mirë në vitin 2012, duke lënë pas një Goran Pandev.
A. Ibraimi:
Normal edhe kjo është një meritë e madhe, një kënaqësi. Është një nder i madh që pik së pari të luash për kombëtaren dhe poashtu edhe merita për tu zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit. Mendoj se me paraqitjet e mira jo vetëm në kombëtare, por edhe në NK Maribor jo vetëm unë, por secili futbollist nëse bën qëllimin e duhur për një vit, për t’ia arritur qëllimit për të bërë diçka dhe e bën atë për të arritur, normal se edhe shpërblimet nuk mungojnë. Jam tepër i kënaqur me shpërblimin e FFM-së dhe në të ardhmen do të tentoj të arrij edhe më tepër.

Koha: Sa për t’ju rikujtuar vitet e kaluara secili futbollist që shpallej më i miri i vitit, menjëherë realizonte një transferim të mirë. Ju arritët kulmin në Slloveni, jeni më i miri në kombëtaren e Maqedonisë dhe tani a keni plane për të lëvizur nga Maribori.
A. Ibraimi:
Kam ndëgjuar edhe unë se flitet shumë për diçka të tillë, por për këtë njerzit kyç janë menaxherët e mij dhe normal Zllatko Zahoviç. Dmth ata vendosin për të ardhmen time. Dua të them se me të vërtetë jam shumë i kënaqur në NK Maribor, lojtarët, stafi teknik dhe njerzit kanë shumë besim tek unë, kështu që unë nuk dua të mendoj diçka më larg. Para se të vija te Maribori, mendoja për shumë klube të tjera të mëdhaja, se do shkoj këtu, do shkoj atje, mirëpo asnjëherë nuk u bë realitet. Kur erdha në një klub si që është Maribori, mendoj se s’duhet menduar për klube tjera. Mirëpo normal se ofertat vijnë, por kur ata vijnë, nuk është ndonjë preokupim për mua të mendoj shumë për to, pasi janë menaxherët dhe drejtori sportiv që meren me ato. Mirëpo është një motiv kur ndëgjon se ka interesim, kështu që në të ardhmen shpresoj të luaj në një prej top-ligave evropiane.

Koha: Do lëvizni në janar prej Maribori?
A. Ibraimi:
Duhet ta thirni Zllatko Zahoviçin t’ju përgjigjet në këtë pyetje.

Koha: Agim shumë të rrinjë do të lexojnë këtë intervistë dhe kishim dashur që në pika të shkurtëra t’ua përshkruani rrugën drejt suksesit?
A. Ibraimi:
Pika e parë në rrugën drejt suksesit është të besosh në Zot, pastaj vetëbesimi dhe ta duash punën që e bën. Nëse këta tre faktorë i bashkon dhe i praktikon me përpikmëri, ta dish se i’a ke arritur qëllimit. Dhe normal mos kënaqesh me një arritje. Çdo vit duhet të tentosh të përmirësohesh dhe kur do përfundosh karrierën do të shihet ajo që ke bërë.

Koha: Si një ish-futbollist i Shkëndijës, sa ndiqni ndodhitë në sportin në Maqedoni.
A. Ibraimi:
Çdo herë jam në ndjekje. Secilën lojë të Shkëndijës e përcjell kur kam kohë, ka patur raste kur kishte transmetim të drejtëpërdrejtë në internet. Rezultatet e arritura para një viti, kur Shkëndija fitoi titullin e kampionit mendoj se ishte top-sukses i skuadrës, i’a arritën qëllimit. Normal se secili futbollist tetovar që ka luajtur në Shkëndijë, është shumë i kënaqur me këtë dhe shpreson që një ditë të kthehet dhe të bëjë këtë sukses me këtë klub. Unë Shkëndijës dhe gjithë klubeve tjera shqiptare ju uroj shumë suksese në të ardhmen, ta punojnë punën pastër dhe t’ia arrijnë qëllimit të bëhen kampion, jo vetëm një herë, por më shumë.

Koha: Ndoshta nuk është e udhës për t’ju pyetur juve tani, kur ndoshta jeni pranë transferimit në ndonjë ekip evropian, mirëpo për cilin ekip anoni ju?
A.Ibraimi:
S’është problem për ta thënë se prej fëmijërie ekipi im i preferuar është Real Madridi dhe këtu s’kam dilemë. Por unë jam shumë real dhe e them se Barcelona është mjaft klub i fortë, në këto momente është shumë para Realit, kanë skuadër më kolektive se madrilienët. Për ta përfunduar do them se Barcelona është më e fortë, por nuk ka lojtar në botë që s’do të kishte dashur të luajë në Real Madrid.

Koha: Edhe ju jeni një prej tyre?
A. Ibraimi:
Jo, ajo është fantazi, pasi shumë e vështirë është që një futbollist prej Maqedonie të arrijë të luaj në një top-klub. Unë jam i kënaqur nëse do arrij të luaj në top-ligat evropiane, e jo në një top-klub evropian.

Koha: Agim jemi në fund të vitit dhe do kishim dashur një porosi për gjithë lexuesit shqiptarë.
A. Ibriami:
Unë jam musliman dhe festat e fundvitit nuk i festoj edhe pse në një far mënyre të gjithë shënojmë ndrimin e moteve. Për këtë arsye për 2013 do të kisha uruar shumë fat për gjithë shqiptarët, të jenë sa më shumë të motivuar për jetë, t’i shfrytëzojnë mundësitë që u jepen, të punojnë maksimalisht dhe ta duan punën e tyre, për t’ia arritur qëllimit që kanë para vetes. Mbi të gjitha u dëshiroj shumë shëndet dhe lumturi. Me këtë rast edhe ‘Koha’-s i dëshiroj shumë fat dhe suksese në të ardhmen, duke ju falemenderuar që gjithmonë jeni në ndjekje të sukseseve të sportistëve shqiptarë.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *