Home / Sport / Barça prenoton gjysmëfinalen e Kupës ndaj Realit

Barça prenoton gjysmëfinalen e Kupës ndaj Realit

Barcelona ka mundur Malagan 4-2 dhe ka kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, ku do të vihet përballë rivalëve historikë të Real Madrid në një “El Clasico” që do të përcaktojë se cila prej dy skuadrave do t’i japë lamtumirën para kohe këtij trofeu.

Katalanasit, pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë në “Kamp Nou” ndaj Malagas, ashtu si edhe pas humbjes në fundjavë me Real Sociedad, duhej të tregonin se nuk po kalonin një krizë rezultatesh, ndaj fitorja ishte e detyrueshme për shumë arsye.
Për të nisur ndeshjen sa më vrullshëm ka menduar Pedro, i cili në minutën e 9-të ka kaluar në avantazh Barcelonën. Por gëzimi i katalanasve nuk zgjat shumë, pasi është Hoakin i cili vendos barazpeshën në shifra vetëm 3 minuta më vonë, ndërsa pjesa e parë vazhdon me aksione nga të dy skuadrat dhe me një lojë mjaft emocionuese.
Pjesa e dytë fillon me një tjetër gol të Barcelonës, këtë radhë të shënuar nga Zherard Pike, i harruar i vetëm në zonën e Malagas. Por përsëri vendasit arrijnë të barazojnë rezultatin, kur tashmë është Roke Santa Kruz që dërgon topin pas shpinës së Pinto.
Megjithatë, për të zgjidhur ndeshjen mendon dyshja magjike e katalanasve, Iniesta-Mesi, pasi dy futbollistët gjejnë rrugën e rrjetës në minutat 75 dhe 80 për të çuar rezultatin në 4-2 dhe për të mbyllur përfundimisht çështjen e kualifikimit në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit, ku që në mesjavën e ardhshme do të bëjnë vizitën e rastit në “Santiago Bernabeu” për ndeshjen e parë kundër Real Madrid.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër do të luhet mes Atletiko Madrid dhe Seviljes, me ekipin madrilen që siguroi kualifikimin sot pasi barazoi 1-1 ndaj Betis, me takimin e parë që ishte mbyllur 2-0 për ekipin e drejtuar nga Simeone.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *