Home / Sport / Barça vazhdon serinë rekord, CR7 shpëton Murinjon

Barça vazhdon serinë rekord, CR7 shpëton Murinjon

Barcelona dhe Real Madrid kanë fituar ndeshjet respektive të javës së 18-të të kampionatit spanjoll të futbollit, por mënyra se si kanë siguruar tri pikët ka qenë krejtësisht e ndryshme. Katalanasit kanë triumfuar shumë lehtë në derbin me Espanjol, të mbyllur me rezultatin 4-0 në favor të tyre, ndërsa madrilenët kanë vuajtur shumë për të marrë një sukses 4-3 ndaj Real Sociedad në një ndeshje ku ka ndodhur gjithçka.

Fillimisht në fushë ka zbritur Real Madrid, në radhët e të cilit Murinjo kishte vendosur të linte përsëri në stol Kasijas, duke aktivizuar Adan si titullar. Por ndeshja e këtij të fundit zgjat vetëm 6 minuta, aq sa për të shkaktuar një penallti dhe për t’u larguar me karton të kuq, për të kthyer përsëri Kasijas, i brohoritur gjatë nga publiku në “Santiago Bernabeu”, mes shtyllave të portës madrilene.
Ksabi Prieto shënon nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin në 1-1, pasi më parë kishte qenë Benzema që kishte kaluar në avantazh Realin që në minutën e dytë. Më pas është Khedira që kalon përsëri Realin në avantazh, por Ksabi Prieto bën që pjesa e parë të mbyllet në barazim me golin e tij në minutat e fundit.
Për të shpëtuar Zhoze Murinjon nga një situatë e sikletshme mendon Kristiano Ronaldo me dy golat e tij, në një mbrëmje ku ai u shfaq përsëri në formën më të mirë, ndërsa goli i tretë i Ksabi Prieto nuk shqetësoi shumë madrilenët që kontrolluan rezultatin deri në fundin e ndeshjes.
Ndërkohë, Barcelona ka bërë një “shëtitje” të thjeshtë përballë Espanjol në derbin katalanas, duke dominuar në mënyrë të dukshme këtë ndeshje. Kryesuesit e kampionatit spanjoll kanë vulosur gjithçka që në 30 minutat e para falë golave të Ksavi, Pedro (2) e Mesi. Skuadra e drejtuar nga Tito Vilanova ka arritur të barazojë një tjetër rekord historik, duke regjistruar ndeshjen e 36-të radhazi në kampionat që shënon gol, një seri që mungonte prej 70 vitesh në kampionatin spanjoll.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *