Home / Lajme / Rajon / Cirku në Kuvend

Cirku në Kuvend

Prishtinë, 25 Janar – Kuvendi i Kosovës sot i ngjau më shumë një cirku, se vendit ku vendoset për çështje me interes për votuesit dhe të tjerët.

Mbledhja e sotshme duhej të ishte vazhdim i asaj të djeshme, të ndërprerë për shkak të mungesës së deputetëve, siç u tha – të pozitës, kur duhej të vazhdonte xhiroja tjetër e votimit për anëtarë të dy bordeve – për Këshillin e Pavarur të Medieve (bëhet fjalë për mediet elektronike), dhe atë të mediumit publik të radiotelevizionit – RTK-në, shkruan “Koha”.

Mirëpo, drejtuesi i mbledhjes së sotshme, Xhavit Haliti, që në fillim shfaqi dilemat e paqarta nëse duhej të vazhdonte procedimin e çështjes së shtyrë nga mbledhja e djeshme e ndërprerë, nëse dje kishte pasur shkelje të Rregullores së punës së Kuvendit, nëse duhej të pranohej rezultati i votimit të xhiros së parë për anëtarë të dy bordeve, apo të shtyhej edhe kjo mbledhje dhe të pritej interpretimi juridik i shkeljeve.

Atëherë u shfaq kryesuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili kërkoi jo vetëm shtyrjen e kësaj mbledhjeje, por edhe të anulohej rezultati i votimit të djeshëm, kur ishin zgjedhur dy anëtarë të Bordit të RTK-së.

Por, përfaqësuesit e grupeve parlamentare në opozitë: Sabri Hamiti (LDK) dhe Visar Ymeri (VV) kërkuan që në përputhje me Rregullore, mbledhja të vazhdonte dhe rezultati të njihej.

Ky i dyti shpërfaqi një shkelje tjetër që kishte ndodhur mbrëmë, kur Bordi i pakonsoliduar i RTK-së kishte zgjedhur Mentor Shalën drejtor të përgjithshëm të këtij mediumi, duke e quajtur si zgjidhje të kundërligjshme.

Ndërkohë u votua për një propozim të djeshëm të deputetit të PDK-së, Arsim Bajramit, i cili e kishte konsideruar të paligjshëm votimin për dy borde njëherësh. Kur deputetët u deklaruan kundër këtij propozimi, që paralajmëronte edhe kundërshtimin për shtyrjen e votimit për anëtarët e tjerë të bordeve për një mbledhje tjetër, atëherë sërish doli në skenë kryetari i Grupit Parlamentare PDK-së, Adem Grabovci, i cili si në disa raste të njohura më parë të manipulimit të punës së Kuvendit, propozoi një orë pauzë.

Dhe pa e marrë as miratimin e kryesuesit të mbledhjes e as të deputetëve të tjerë braktisi sallën e Kuvendit bashkë me kolegët e vet bashkëpartiakë, kurse Xhavit Haliti e miratoi ndërkohë, si një akt të kryer.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *