Home / Lajme / Rajon / Dokumentet e Beogradit, të papranueshme për Prishtinën zyrtare

Dokumentet e Beogradit, të papranueshme për Prishtinën zyrtare

Dokumentet që dalin nga Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë dhe që kanë të bëjnë me Kosovën dhe rregullimin e saj të brendshëm, janë të papranueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Këshilltar i lartë i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku,deklaroi për Radion Evropa e Lirë, se këto dokumente do të jenë jo-relevante.

“Qasja jonë ndaj këtyre dokumenteve do të jetë e tillë që nënkupton se në takimin e Brukselit, nëse vihen në tavolinë do të jenë plotësisht të papranueshme dhe jo relevante. Ne jemi të bindur se edhe baronesha Ashton ka të njëjtin qëndrim siç e kemi edhe ne”, tha ai.

“Ato dokumente që i ka prodhuar Serbia janë për konsum të brendshëm dhe në asnjë moment nuk do të bëhen pjesë e bisedimeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, tha Çollaku.

Ai është i mendimit se rezoluta për Kosovën, të cilën Kuvendi i Serbisë e ka miratuar më 12 janar, nuk mund të pengojë në asnjë formë dialogun politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Theksi i dialogut që zhvillohet në Bruksel nuk ka asgjë të përbashkët me dokumentet që miratohen në Serbi. Agjenda dhe temat janë përcaktuar më herët të diskutohen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, janë të parapërcaktuara dhe nuk do të ketë devijim nga ajo agjendë që është miratuar qysh në fillim të këtij procesi”, theksoi Çollaku.

Analistët në Kosovë vlerësojnë se dokumentet e miratuara në Beograd për Kosovën, nuk mund të ndikojnë shumë në dialogun e paralajmëruar politik Prishtinë-Beograd.

Ata thonë se me gjithë kundërshtimet nga Prishtina zyrtare, rezoluta e ka domethënien e vet, për vetë faktin se është një pozicion nismëtar, të cilin nuk e ka pala kosovare.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *