Home / Sport / Ferguson i çuditur: E prisja Guardiolën në Angli!

Ferguson i çuditur: E prisja Guardiolën në Angli!

Aleks Ferguson ka pranuar se ka mbetur disi i çuditur kur ka mësuar se Pep Guardiola kishte zgjedhur Bajern Mynih për të vazhduar karrierën e tij si trajner në sezonin e ardhshëm.

Ashtu si shumë të tjerë, edhe trajneri skocez i Mançester Junajtid priste që Guardiola të merrte drejtimin e një skuadre angleze, me Mançester Sitin dhe Çelsin që ishin vënë në ndjekje të teknikut spanjoll prej kohësh.
“U çudita pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Gjatë gjithë kohës flitej vetëm për klube angleze që interesoheshin për të. Por nëse e sheh situatën me syrin e një trajneri, nëse të jepet mundësia për të drejtuar Bajern Mynih, është e vështirë që ta refuzosh, pasi ata me shumë mundësi janë një prej klubeve më të organizuara në Evropë”.
“Ai është një qytet fantastik, një stadium fantastik, ka lojtarë të mirë e histori të shkëlqyer. Është shumë e lehtë të zgjedhësh Bajern Mynih në rrethana të tilla”, tha Ferguson.
Sipas tij, fakti se pse Bajerni po bën kaq mirë, është se ka ruajtur marrëdhëniet me ish-yjet e vet dhe kjo ka ndikuar në mënyrën se si menaxhohet skuadra.
“Karl Hainz Rumenige dhe Uli Hënes janë drejtues të Bajern. Atje punon edhe Gerd Myler dhe më duket edhe Sep Maier. Ai vend është i mbushur me emra që kanë shkruar historinë e këtij klubi, ka qenë gjithmonë kështu. Është një klub që menaxhohet mirë dhe është e lehtë të pranosh ofertën e tyre qoftë edhe vetëm për një arsye të tillë”, deklaroi Ferguson.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *