Home / Sport / Gënjeshtra e Murinjos për ceremoninë në Zyrih

Gënjeshtra e Murinjos për ceremoninë në Zyrih

Ndërsa Florentino Perez, Kristiano Ronaldo, Iker Kasijas, Serxho Ramos, Ksabi Alonso dhe Marcelo udhëtuan dje nga Madridi për në Zyrih për të marrë pjesë në mbrëmjen gala të organizuar për dhënien e “Topit të Artë”, Zhoze Murinjo preferoi të qëndronte në kryeqytetin spanjoll, duke përfituar nga pasditja pushim për të ndjekur stërvitjen e djalit të tij.

Trajneri deklaroi të shtunën, para ndeshjes me Real Sociedad, se nuk do të udhëtonte drejt Zyrihut, duke u justifikuar me faktin se kishte shumë punë, pasi po përgatiste ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Selta Vigo. “Kam shumë për të punuar, ka një ndeshje kupe, që është e rëndësishme për mua e prandaj nuk do të shkoj”, ishte shpjegimi i tij.
Por stërvitja e Real Madrid gjatë ditës së djeshme u zhvillua në orën 11 të paradites, ndërsa grupi i madrilenëve udhëtoi në drekë drejt Zyrihut me avion privat. Pas mbrëmjes gala, ata u kthyen në darkë në Madrid.
Po Murinjo, në vend që të punonte për ndeshjen e Kupës në ambientet e klubit, siç kishte premtuar, kaloi të gjithë pasditen duke parë stërvitjen e djalit të tij, Zhoze Xhunior në radhët e akademisë së Kanilas, ku ai luan si portier.
Portugezi u shfaq në stërvitjen në orën 19:45, bashkë me dy truproje, të cilët u munduan ta fshihnin atë nga fotoreporterët që e pikasën në stërvitje. Pasi e kuptoi se ishte “zbuluar”, Murinjo zgjodhi të shihte stërvitjen në katin e dytë, i vetëm.
Edhe vitin e kaluar, Murinjo injoroi ceremoninë e FIFA-s, ndonëse ishte përsëri kandidat për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit. Ai nxori përsëri një ndeshje si justifikim për këtë mungesë. E vetmja herë kur ai vendosi të merrte pjesë në mbrëmjen gala, ishte për çmimin e vitit 2010, kur fitoi gjithçka me Interin dhe ishte thuajse i sigurt se do të fitonte vendin e parë.
Mediat spanjolle kanë theksuar edhe faktin se si Iker Kasijas e kishte vënë atë në vendin e parë, para Vicente Del Boske në zgjedhjen e tij, ndonëse trajneri portugez as që nuk e ka përgëzuar kapitenin për çmimin që mori pak ditë më parë si portieri më i mirë i vitit.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *