Home / Sport / Ibrahimoviç: Bajerni, mundësi e artë për Guardiolën!

Ibrahimoviç: Bajerni, mundësi e artë për Guardiolën!

Zlatan Ibrahimoviç mendon se ka ardhur koha të fitojë Ligën e Kampioneve dhe me Paris Sent Zhërmen ka mundësinë e artë për ta realizuar një objektiv të tillë. Në një intervistë të dhënë për “Marca”, sulmuesi suedez ka zbuluar se si po përgatitet për ndeshjen e fazës së eliminimit direkt në këtë turne, përballë Valencias.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Valencia luan futboll të mirë. Nuk kam fituar asnjëherë Champions? Po mundohem! Ai është objektivi im i madh. Tani, me PSZH, kam një mundësi të mirë për ta realizuar këtë objektiv, pasi kemi një ekip të madh. Të shohim nëse këtë radhë kam fat”, deklaroi Ibra.
“Këtë sezon po luajmë në tre aktivitete të ndryshme dhe të shohim sa larg mund të shkojmë në të tre këto turne. Nuk ka asnjë prioritet, duhet të tentojmë të fitojmë numrin më të madh të mundshëm të titujve deri në fund të këtij sezoni”.
Futbollisti suedez ka folur edhe për merkaton, duke filluar nga zërat për kalimin e Murinjo dhe Kristiano Ronaldo te PSZH, për të vazhduar me transferimin e Pep Guardiolës te Bajern Mynih nga sezoni i ardhshëm.
“Kalimi i Murinjos në çdo klub do të përbënte një lajm të madh, pasi ai është një trajner i madh, mes më të mirëve në botë dhe Kristiano gjithashtu është mes lojtarëve më të mirë në qarkullim aktualisht. Por transferimi i tyre aktualisht nuk është realitet. Njerëzit mund të ëndërrojnë, por deri në ditën që një transferim bëhet realitet, nuk mund të jap një përgjigje të saktë”.
“Guardiola te Bajern? Ai është një vendim personal, ajo që ai e ndjente se duhej bërë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Duhet të ndjehet i kënaqur pasi jo gjithkujt i jepet një mundësi e tillë. Ai është një klub i madh, me lojtarë të mëdhenj dhe një strukturë e organizim mbresëlënës. Mentaliteti gjerman është ndryshe ndaj ai do të ketë mundësinë të përsëritë punën që bëri te Barcelona. Ai do të qëndrojë te një nga 5 klubet më të mira në botë dhe besoj se duhet të përfitojë nga një gjë e tillë”, tha Ibrahimoviç”.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *