Home / Sport / Isen Memedi ‘vrasësi’ në futsall

Isen Memedi ‘vrasësi’ në futsall

“Ishte kënaqësi e madhe që në atë manifestim unë mora mirënjohjen për golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar. Falemenderoj drejtuesit e FFM-së dhe gjithë bashkëlojtarët e mij te Elita, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kisha mundur të fitoj këtë çmim, që është një shtytje për të ardhmen”, thotë 26 vjeçari Memedi, i cili me 53 gola ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Parë të futsallit për sezonin 2011-2012.

Viteve të fundit në rajonin e pollogut përveç futbollit të madh, në ngritje e sipër ka qenë edhe fubolli i vogël, i njohur si futsall, në të cilin skuadrat tetovare kanë qenë në krye të sukseseve. UEJL dhe Shkëndija kanë skuadra të mira, pretendojnë suksese, mirëpo gjithçka sa i përket futbollit të vogël në rajonin e Tetovës, nisi me KFV Elita nga fshati Sllatinë. E formuar nga një grup entuziastësh në vitin 2002, Elita filloi me gara në vitin 2003. Pas dy viteve gara, në vitin 2005 Elita arrin të fitojë trofeun e parë, duke rëmbyer Kupën e Maqedonisë, ndërsa tre vite më vonë, në vitin 2008 skuadra arrin kulmin, kur fiton titullin e kampionit në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe në Bullgari përfaqëson vendin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Gjatë gjithë këtij ‘udhëtimi’ të Elitës, pjesë e pandashme e skuadrës ka qenë sulmuesi Isen Memedi. Golashënues i spikatur, një ‘vrasës’ i vërtetë’ para portave kundërshtare, që ekipit vazhdimisht i ka dhënë shtytje pozitive drejt sukseseve të njëpasnjëshme. “Vërtet kur kthehet njeriu të përshkruaj të kaluarën, më kap një nostalgji për gjithë ato që kemi arritur. Për mua është një nder dhe kënaqësi e madhe që kam qenë pjesë e këtij udhëtimi të Elitës. Duke u marë me sport, ne jo vetëm që kemi përfaqësuar me nder shqiptarët në Maqedoni, por njëkohësisht kemi bërë të njohur edhe fshatin tonë Sllatinën, që tani më karakterizohet me KFV Elita”, shprehet me kënaqësi për arritjet e skuadrës së tij, sulmuesi Isen Memedi. “Fillimi ishte i vështirë, mirëpo ne ishim shumë entuziast. Me kalimin e kohës Elita rritej dhe si rezultat erdhi triumfi në Kupën e Maqedonisë. Kulmi erdhi në 2008 kur fituam kampionatin”, kujton me shumë entuziazëm sukseset e të kalurës Memedi. Përveç sukseseve ekipore, Isen Memedi vazhdimisht ka spikatur në mesin e golashënuesve më të mirë, ndërsa kulmin arriti sezonin 2011-2012, kur nga FFM-ja u shpërblye si golashënuesi më i mirë me 53 gola të realizuar me Elitën. “Ishte kënaqësi e madhe që në atë manifestim unë mora mirënjohjen për golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar. Falemenderoj drejtuesit e FFM-së dhe gjithë bashkëlojtarët e mij te Elita, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kisha mundur të fitoj këtë çmim, që është një shtytje për të ardhmen”, thotë 26 vjeçari Memedi, i cili edhe dy herë tjera ka qenë golashënues më i mirë në Ligë, mirëpo drejtuesit paraprak të FFM-së nuk kanë shpërblyer mundin e tij. Memedi sezonin aktual një periudhë të caktuar ishte jashta kombinimit te Elita, mirëpo nga java e ardhshme rrikthehet në skuadër, duke shpresuar se do të arrijnë të shmangin rrënien nga kategoria e parë. “Për shkaqe të caktuara kam qenë jashta ekipit, por nga fundi i javës kthehem. Këtë vit s’kemi qenë në nivel, por shpresojmë që gjërat të marrin kahje pozitive. Luftojmë për mbijetesë, por jam optimist se me një seri pozitive, do të arrijmë të kalojmë në renditje Ryal Petrolin dhe në fund do mbetimi në mesin e më të mirëve”, pëfundoi golashënuesi më mirë në futsall për sezonin e kaluar Isen Memedi.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *