Home / Lajme / Maqedoni / Kërçova në duart e mërgatës dhe pakicave

Kërçova në duart e mërgatës dhe pakicave

Diçka më shumë se dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale në Maqedoni dhe Kërçova me bashkimin e pesë komunave rurale në një, pritet të hyjë në një fazë të re e që zbërthyer në vota – paraqitet me shumë të panjohura.

Siç dihet, përkundër detyrimit ligjor për bashkimin e komunave, Kërçova në dy mandatet e kaluara megjithatë nuk u bashkua në një njësi dhe ky mosbashkim është vlerësuar si përfitim kohe nga pala maqedonase që në një të ardhme të afërt, të mund edhe në vazhdim të qeverisë me këtë qytet. Por tani, bashkimi i pesë komunave e ndryshon hartën demografike të Kërçovës, kështu që Komuna e Kërçovës do ketë 56.795 banorë, prej të cilëve 31.024 shqiptarë, 20.241 maqedonas, 3.049 turq, 1.630 rom dhe 640 të tjerë.

Në garën për zgjedhjet lokale, për shkak të specifikave do garojnë vetëm dy kandidatë që është plotësisht e mundshme që të mos ketë raund të dytë fare. Kështu, edhe kësaj radhe në garë do jenë Fatmir Dehari, aktualisht kryetar i Komunës së Osllomesë që vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Bllagoja Despotoski, kryetar aktual i Komunës së Kërçovës që vjen nga radhët e VMRO-së. Që të dy kandidatët kanë përvojë politike dhe mundohen që të joshin elektoratin e papërcaktuar me programet e tyre zhvillimore ekonomike, si dhe platformat e tyre politike. Sipas shumë analizave që janë bërë, faktori vendimtar që do vendos se cili kandidat do udhëheq me Kërçovën në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, është pikërisht vota e mërgatës shqiptare. Edhe pse shqiptarët kanë një elektorat shumë më të madh se maqedonasit, zgjedhjet e fundit parlamentare treguan se dalja e tyre ishte shumë e vogël në krahasim me maqedonasit. Nga shifra prej 56.795, në zgjedhjet e fundit parlamentare të drejtë vote kanë pasur 50.005. Në Komunën e Kërçovës, nga 27.124 banorë me të drejtë vote, kanë votuar 16.824, prej të cilëve për subjektet maqedonase kanë votuar 13.218 votues, ndërsa për subjektet shqiptare 3.506 votues. Derisa Kërçova ka në kufijtë e ngushtë vetëm 16.140 banorë, ndërsa për subjektet maqedonase kanë votuar 13.218 ndërkohe që jehona e votimit ka qenë vetëm 62 për qind, shifër kjo që flet se për subjektet maqedonase – kanë votuar edhe elektorati turk dhe rom.

Të mos përsëritet 2009-ta

Një dukuri tjetër që haset në këto zgjedhje është edhe ajo se Komuna e Vraneshnicës ka më shumë votues se sa banorë. Kjo komunë, në bazë të regjistrimit të vitit 2002, ka 1.322 banorë, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare ka pasur 1.488 votues (166 më shumë), ndërsa kanë votuar 849 ose 57 për qind. Në zgjedhjet parlamentare, në Komunën e Dërgovës jehona e daljes në votim ka qenë më larta ndër komunat e rrethit të Kërçovës – edhe atë nga 2.776 banorë me të drejtë vote, kanë votuar 2.041 apo rreth 74 për qind. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, jehona e votimit tek komunat shqiptare ka pas rënie të dukshme – edhe atë në Komunën e Zajazit nga 9.971 votues – votën e tyre e kanë shfrytëzuar 4.457, prej të cilëve BDI ka marrë 4.058 vota, PDSH 78, RDK 195 dhe DR 12. Ndërsa, në Komunën e Osllomesë, jehona e daljes në votim ka qenë edhe më ë ulët sesa në Komunën e Zajazit. Kështu, në këtë komunë nga 8.646 votues, të drejtën e votën e kanë shfrytëzuar vetëm 3.787, ose 43 për qind e elektoratit. Në këtë komunë, për BDI-në kanë votuar 3077, për PDSH-në 183, për RDK-në 305, ndërsa për DR-në 17 vota. Në këto zgjedhje, blloku i subjekteve shqiptare ka marrë gjithsej 11.765 vota për dallim nga blloku i partive maqedonase, për të cilët kanë votuar 16.182. Dallimi në mes votuesve të këtyre subjekteve është 4426 – një shifër kjo shumë e lartë dhe një sfidë për punë të subjekteve shqiptare për zgjedhjet lokale. Nëse iu referohemi zgjedhjeve lokale të vitit 2009, hasim në një situatë gati të njëjtë me pak ndryshime. Derisa jehona e zgjedhjeve në komunat shqiptare ka qenë nën 40 për qind, tek elektorati maqedonas përqindja arrin në 50. Subjektet shqiptare në këto zgjedhje në Komunën e Kërçovës nuk kanë nxjerr kandidat, dhe si duket – vota e tyre ka shkuar tek VMRO, pasi ky subjekt ka pasur më shumë vota se në zgjedhjet parlamentare dy vite më vonë.

Në saje të mosangazhimit të subjekteve shqiptare në këto zgjedhje, shqiptarët pësojnë humbje të thelle edhe në listën e Këshillit komunal, ku tani përfaqësohen vetëm me dy këshilltarë. Për BDI-në kanë votuar 1474, ndërsa për PDSH-në 209. Në këto zgjedhje, për subjektet maqedonase kanë votuar 11.956, ndërsa për ato shqiptare 7955, ndërsa sa u përket kandidatëve – dallimi është shumë i madh. Kjo disfatë u arrit pasi shqiptarët nuk nxorën kandidat për Komunën e Kërçovës. Në zgjedhjet e marsit të këtij viti, BDI në Kërçovë do të garojë me kryetarin aktual të Osllomesë, Fatmir Deharin, të cilin për shkak specifikave që ka Kërçova, do ta mbështesin të gjitha subjektet tjera shqiptare.

Mërgimtarët të zbresin në Kërçovë

Kërçova është përpara një sfide të madhe për të fituar Kërçovën. Bllokut politik shqiptarë i duhet një punë e madhe dhe e pandërprerë deri në zgjedhjet e marsit. Kryetari i Degës së BDI-së në Kërçovë, Sheval Ceku, është tepër optimist dhe thotë se “faktori kyç për të marr Kërçovën, është mërgata jonë, pajisja e elektoratit me dokumente të vlefshme si dhe vendosja e urave të bashkëpunimit me elektoratin rom e posaçërisht me atë turk”. “Ne kemi vënë kontakte të drejtpërdrejta me mërgatën, kemi formuar Këshilla në çdo pjesë të Evropës, por edhe në SHBA, kështu që jam i bindur se ditën e votimit do kemi jehonë të madhe dhe do fitojmë”, beson Ceku.

Profesori i USHT-së, Remzi Mehmedi, për zgjedhjet e ardhshme lokale thotë se të njëjtat janë një provim i veçantë, jo vetëm për subjektet politike shqiptare, por për të gjithë elektoratin. “Këtu shihet emancipimi ynë i përgjithshëm. Për Kërçovën tani flitet shumë, dëgjojmë edhe veprime të papëlqyeshme, por unë mendoj se faktori kryesor që Kërçova të ndryshoj mentalitetin që ka – është mërgata jonë. Në këto zgjedhje, unë me të drejtë pres që kandidatin shqiptarë të mbështesin turqit dhe romët. Kemi mjaft prova nga e kaluara që kësaj radhe këto komunitete të shkojnë së bashku me ne. Jam shumë optimist se mërgata do t’i përgjigjen këtij obligimi qytetar se vërtetë janë shtresa që kanë vuajtur më së shumti dhe nga atje kanë ndikuar në shumë ndryshime shoqërore janë bërë këtu”, thotë Mehmedi. Ndërsa, ish i burgosuri politik, Muadin Bajrami, mendon se me shtyrjen e bashkimit të Kërçovës, maqedonasit tashmë kanë përfituar në kohë.

“Tani jam i mendimit se aktivistëve politik do t’ju duhet shumë punë për të homogjenizuar elektoratin dhe për ta bindur se ky rast vërtetë është historik. Unë jam i bindur se ndaj popullatës shqiptare në Kërçovë është bërë padrejtësi e madhe. Vetëm për të dalë në sipërfaqe të palarat na duhet që kësaj radhe jo të jemi bashkë, se ne jemi bashkë, por të vijmë nga do që jemi drejtë kutive të votimit. Kjo kërkon punë, por do jetë për të mirën e përgjithshme”, thotë Bajrami. Të gjitha analizat që janë bërë dhe po bëhen për Kërçovën dhe rreth Kërçovës kanë një faktorë të përbashkët dhe që është me ndikim të madh – e kjo është mërgata jonë që ditën e votimit të zbres në Kërçovë. /KOHA/

Gjithashtu lexo

Shkarkohet Zvërlevski, me 64 vota për dhe asnjë kundër

Kuvendi i Maqedonisë, pas debateve disajavëshe maratonike të deputetëve VMRO-DPMNE-së, e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *