Home / Sport / Murinjo: Kasijas? Askush nuk e ka vendin të sigurt!

Murinjo: Kasijas? Askush nuk e ka vendin të sigurt!

Një javë e mbushur me polemika, protestat e tifozëve apo edhe zërat për një largim të mundshëm, nuk kanë bërë që Zhoze Murinjo të ndërrojë mendje mbi aktivizimin e Iker Kasijas si titullar.

Ndonëse trajneri portugez nuk e ka pranuar publikisht se portieri i Spanjës do të vazhdonte të qëndronte në stol, ai ka folur në konferencë për shtyp sesi mungesa e konkurrencës dëmton lojtarët.
“Të gjitha vendet në skuadër kanë të bëjnë me besimin, jo vetëm ai i portierit. Besimi ndaj lojtarëve është shumë i rëndësishëm për të gjithë lojtarët që zbresin në fushë. Normalisht, besimi vjen si rrjedhojë e rendimentit, por në të njëjtën mënyrë, edhe konkurrenca është një aspekt jo më pak i rëndësishëm dhe do të mundohemi që tani e tutje të gjejmë një pikë ekuilibri”.
“Qëndrimi në një zonë të përhershme të rehatshme nuk shërben në të mirë të lojtarëve. Futbollistët dhe portierët e mi janë gjithmonë më të mirët në botë, e kam thënë këtë edhe kur isha në fillimet e mia në Portugali, edhe atëherë kur njerëzit qeshnin me fjalët e mia. Gjithmonë ka qenë kështu dhe gjithmonë do të vazhdojë të jetë kështu”, komentoi Murinjo i cili bëri të qartë se dueli mes Kasijas dhe Adan do të vendosej vetëm në minutat e fundit para sfidës së të dielës.
“As ata vetë nuk e dinë se kush do të luajë titullar. E vetmja gjë që mund të them tani është se kush luan në kampionat, nuk do të luajë në Kupë”, ishte komenti i tij i radhës, ndërsa refuzoi t’i përgjigjej çdo pyetje tjetër rreth Kasijas.
Portugezi bëri të qartë se do të tentojë gjithsesi të marrë maksimumin nga Reali në kampionat, ndonëse titulli tashmë duket se ka përfunduar në duart e Barcelonës dhe shumëkush mendon se madrilenët duhet të përqendrohen vetëm te Liga e Kampioneve dhe Kupa e Mbretit.
“Nuk do të përdor kampionatin për të bërë ndryshime. Do të luaj sikur të ishim kryesues apo me pak pikë diferencë nga kreu. Do të përballojmë çdo ndeshje me kërkesat që ka Real Madrid, pasi nuk e shoh veten duke punuar pa një nivel të lartë kërkese ndaj vetes dhe skuadrës. Kemi përgjegjësinë të arrijmë rezultate më të mira në kampionat”, tha ai, duke shtuar në fund se nuk do të shkonte në ceremoninë e “Topit të Artë” në Zyrih, pasi nuk dëshironte të largohej nga ekipi para ndeshjes së Kupës së Mbretit në javën e ardhshme.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *