Home / Sport / Real-Barça, 1-1 në raundin e parë

Real-Barça, 1-1 në raundin e parë

Real Madrid dhe Barcelona kanë mbyllur në barazim 1-1 sfidën e parë mes tyre në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit të luajtur në “Santiago Bernabeu”.

Ky rezultat, edhe pse avantazhon Barcelonën që luan ndeshjen e kthimit në fushën e vet, i jep mundësi edhe madrilëneve që të shpresojnë, sidomos për faktin se në takimin që luhet pas një muaji, do të jenë në dispozicion edhe lojtarët e rëndësishëm që munguan në këtë sfidë për ekipin e Murinjos. Pa Kasijas, Ramos, Di Maria e Koentrao, trajneri portugez ka shpikur një rreshtim tjetër me Arbeloan si mbrojtës i majtë e Esien në të djathtën e repartit të tërhequr. Por ky improvizim vihet shpesh në provë nga inkursionet e katalanasve që në minutat e para, me Zhordi Alba e Iniesta që shpesh arrijnë të depërtojnë mes mbrojtjes madrilene. Por rasti më i mirë i pjesës së parë vjen nga këmbët e Ksavi, i cili në një goditje dënimi gjen traversën e portës se mbrojtur nga Diego Lopez.
Pjesa e dytë sheh Barçën të fillojë më vrullshëm dhe nuk do të vonojë edhe goli i avantazhit, me autor Fabregas që përfiton nga një pasim i Mesit për të kaluar pa vështirësi Lopez. Nga ai moment, Barcelona luan më qetë dhe kontrollon më mirë lojën. Por katalanasit falin shumë para portës kundërshtare dhe Fabregas, Alba e Pedro nuk arrijë të shënojnë në raste shumë të pastra, duke mos mbyllur ndeshjen.
Ndërsa Reali, që i kishte besuar vetëm kundërsulmeve dhe goditjeve standarde, gjen golin me një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës, mbrojtësi Varane, i cili kurorëzoi një paraqitje të jashtëzakonshme me golin e barazimit në minutën e 81-të.
Ndonëse edhe në minutat e fundit ka raste në të dy portat, rezultati nuk ndryshon dhe “El Clasico” mbyllet në barazim 1-1, duke lënë tashmë gjithçka për raundin tjetër, në fundin e shkurtit, kur do të mësohet edhe emri i skuadrës finaliste të Kupës së Mbretit.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *