Home / Lajme / Rajon / Thaçi: Jakup Krasniqi nuk shkarkohet

Thaçi: Jakup Krasniqi nuk shkarkohet

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vetëm pak ditë pasi u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ka folur për zhvillimet më të fundit në partinë e tij, që do të drejtojë edhe për 4 vitet e ardhshme. Thaçi ka mohuar mundësinë e shkarkimit të Jakup Krasniqit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për shkak të bojkotimit të Kongresit të partisë nga ky i fundit.

Thaçi vlerëson Konventën e 6-të Zgjedhore të PDK-së, si jashtëzakonisht të suksesshme. Duke folur për shkrimet në media se PDK mund të filloi procedurat për shkarkimin e Sekretarit të kësaj partie, Jakup Krasniqi nga posti i Kryetarit të Kuvendit për shkak se ai bojkotoi punimet e konventës pas pakënaqësive të shprehura me zhvillimet në parti, kryeministri Thaçi ka mohuar këto zëra, duke thënë se PDK, prej kur drejtohet nga ai, nuk ka bërë politikë përjashtuese, por të kundërtën.

“Deri më tani, në 13 vite e gjysmë që unë drejtoj PDK, asnjë zyrtar nuk është larguar nga partia dhe angazhimi im është inkuadrimi i njerëzve dhe fuqizimi i partisë dhe në asnjë rrethanë largimi i askujt. Secili ka kontributin e vet në forcimin e Partisë Demokratike”, tha Thaçi, në një intervistë për Top Channel.

Në anën tjetër, duke folur për një koalicion të mundshëm me partinë që drejtohet nga Ramush Haradinaj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkojnë postin e kryeministrit, Thaçi është përgjigjur qartë se pozita e tij nuk mund të negociohet.

“Pozicionet vartëse në çdo shtet i përcakton fuqia elektorale dhe jo dëshira individuale. PDK do respektojë vullnetin e qytetarëve. Unë kam besimin dhe mbështetjen e qytetarëve dhe do ta respektoj atë deri në fund”, u shpreh kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka folur edhe për çështjen e dialogut që po zhvillohet në Bruksel vetëm një ditë para se në Kuvend do të raportojë për takimin e 17 janarit.

Në lidhje me Fondin Zhvillimor, për të cilin palët janë pajtuar në Bruksel, Thaçi tha se paratë e grumbulluara nga doganat e Kosovës në veri do të derdhen në buxhetin e Kosovës, ndërsa paralajmëroi se para takimit të ardhshëm që do ta zhvillojë me kryeministrin serb gjatë javës së tretë të shkurtit, Presidentja e Kosovës do të takohet me homologun serb, Nikolic, më 6 shkurt.

“Më 6 do të ndodhë një avancim i këtij dialogu dhe një takim të nivelit të presidentëve. Presidentja Jahjaga do të takohet me Presidentin Nikolic, ndërsa në datën 19 do të ketë një intensifikim të këtij dialogu për sigurinë dhe integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, sqaroi ai.

Thaçi paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të mbajë takime me liderët e partive politike për çështjen e reformës elektorale, e cila ende nuk është përmbyllur.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *