Home / Lajme / Rajon / Thaçi: Serbia na njohu pavarësinë e doganave

Thaçi: Serbia na njohu pavarësinë e doganave

Kryeministri Hashim Thaçi ka raportuar të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me bisedimet me kryeministrin serb Ivica Dacic. Ai ka vlerësuar edhe një herë se fillimi i implementimi i marrëveshjes së IBM-së shënon njohjen e Kosovës nga Serbia në fushën e doganave. Kryeministri Thaçi ka garantuar se gjatë implementimit të marrëveshjes për doganat do të ruhet patjetër sistemi unik doganor i Kosovës.

Ai ka shpjeguar se të hyrat që mblidhen në dogana, e që do të përfshihen në Fondin për Zhvillimin e Veriut, do të derdhen fillimisht në buxhetin e Kosovës, e më pas zyrtarët e BE-së në Kosovë do të hapin një xhirollogari në njërën prej bankave të vendit.

“Vendimet do të merren nga tre anëtarët e Bordit, i cili përbëhet nga një përfaqësues i Qeverisë, një i komunitetit dhe një përfaqësues i BE-së. Vendimet merren me konsensus, por vota e përfaqësuesit të BE është vendimtare”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kreu i Ekzekutivit ka thënë se edhe në takimin e fundit palës serbe i është kërkuar që të angazhohet më shumë për zhbërjen e strukturave paralele.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se kësaj radhe kryeministri vetëm ka informuar Kuvendin, ndërsa do të duhej që ai të raportonte.

“Edhe pas asaj që tha kryeministri ende ka vend për interpretime për atë se çfarë është marrëveshja për doganat. Kryeministri tha se kjo marrëveshje historike ka nisur të zbatohet nga grupet teknike, ndërkohë që të gjithë më parë jemi pajtuar se edhe implementimi i marrëveshjeve në Bruksel duhet të ratifikohen nga Kuvendi, para se të nisin të zbatohen”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, kjo paqartësi është vërejtur edhe gjatë emërimit të Lulzim Pecit si përfaqësues diplomatik i Kosovës në Beograd.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjofca ka kundërshtuar pohimet e kryeministrit, duke vlerësuar se edhe qëndrimi i BE-së është se Lugina e Presheva është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa kur është fjala për veriun thuhet se kjo çështje duhet të diskutohet.

“Kjo i bjen që veriu është në pazar, ndërsa Qeveria jonë thotë se Serbia po na njeh”, ka thënë Konjufca.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se marrëveshjet e arritura deri tash në Bruksel nuk e cenojnë atë për të cilën është arritur konsensus në Kuvend. Ai ka kërkuar një listë të problemeve praktike në marrëdhëniet me Serbinë, për të ndjekur më pas atë agjendë.

Ndërkaq, shefja e Grupit parlamentar të Koalicionit të për Kosovën e Re, Myzejene Selmani ka thënë se pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes së IBM-së, ka një stabilizimin të situatës në veri, përmirësim të gjendjes ekonomike dhe ulje të kontrabandës.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *