Home / Sport / Vazhdon magjia e Kupës FA, jashtë Liverpuli e Totenhemi!

Vazhdon magjia e Kupës FA, jashtë Liverpuli e Totenhemi!

Kjo ka qenë fundjava e surprizave në Kupën FA, pasi skuadrat e kategorive të ulëta kanë arritur të nxjerrin nga gara shumë nga ekipet e Premier League, duke shkaktuar tronditje të vërteta në parashikimet dhe pretendimet e shumë ekipeve elitare. Pas Aston Vilës, Noruiç dhe QPR, radhën e kanë pasur sot dy ekipe të tjera të mëdha dhe me pretendime, Liverpul e Totenhem.

Të parët janë mundur 3-2 nga skuadra e Oldham, e cila shkoi në turin e pestë të turneut ndonëse aktualisht gjendet në kategorinë e tretë angleze dhe përballë kishte një skuadër të përbërë nga yje. Dy golat e Smith dhe ai i Uabara, siguruan sfidën për ekipin e vogël, ndërsa skuadra e drejtuar nga Brendan Roxhers nuk u shfaq asnjëherë në lartësinë e duhur për të pretenduar kualifikimin, edhe pse cilësohej mes pretendentëve.
Të njëjtin fat ka pësuar edhe Totenhem, që është mundur nga Lids me rezultatin 2-1. Varnei dhe MekKormak shënuan për vendasit, ndërsa goli i Dempsi shërbeu vetëm si ngushëllim për ekipin e Vijas Boas, që nuk shafaqi asnjëherë formën më të mirë edhe për shkak të mungesave të shumta që kishte në formacion për këtë sfidë.
E vetmja skuadër që i ka shpëtuar sot “masakrës” së ekipeve të mëdha ishte Çelsi që ka barazuar 2-2 me Brentford. Në fakt, skuadra e vogël e kategorisë së tretë ishte ajo që tregoi lojën më të mirë dhe krijoi raste për të shënuar, duke u gjendur dy herë në avantazh dhe duke u i shkuar shumë pranë një kualifikimi të bujshëm. Por pak minuta para fundit, Torres vendosi barazinë në rezultat me golin e tij, duke siguruar që londinezët të kenë një shans tjetër në ndeshjen që këtë radhë do të luhet në “Stemford Brixh”.
Ndërkohë, pas ndeshjeve të luajtura të dielën është hedhur edhe shorti i turit të pestë të Kupës FA, ku duhet thënë se me përjashtim të sfidës Mançester Junajtid-Riding, asnjë prej skuadrave të tjera të Premier League të mbetura në garë, nuk vihet kundër njëra-tjetrës.

Shorti i turit të pestë të Kupës FA
Hadërsfild/Leicester-Uigan
MK Dons-Barnsli
Oldham-Everton
Luton-Milluoll
Arsenal-Blekbërn
Mançester Siti-Lids
Mançester Junajtid-Riding
Midëllsbrou-Brentford/Çelsi

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *