Home / Sport / Bajerni përfiton nga kriza e Arsenalit

Bajerni përfiton nga kriza e Arsenalit

Bajern Mynih ka hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, falë fitores 3-1 në fushën e Arsenalit. Kriza e skuadrës angleze ka vazhduar edhe në takimin e mbrëmshëm, pasi ekipi i Venger është shfaqur pa shumë ide dhe është dorëzuar shumë lehët përballë Bajernit.

Bavarezët kanë kaluar shpejt në avantazh, që në minutën e 7-të kur Toni Kros ka lëshuar një gjuajtje të pakapshme për portierin Szczesnji. Pa kaluar 15 minuta, është ky i fundit që gabon, duke mos arritur të largojë si duhet një goditje nga këndi, me Myler që shtyn topin në rrjetë duke dyfishuar rezultatin.
Më pas Bajerni administron me qetësi këtë avantazh të krijuar, duke mos lënë hapësira për vendasit që nuk arrijnë as të gjuajnë në portë. Por për t’i dhënë një shpresë të vogël vendasve mendon portieri i bavarezëve Nojer, i cili bën një dalje të pakontrolluar mirë pas një goditje këndi në minutën e 55-të dhe Podolski e ndëshkon në atë që është gjuajtja e parë në kuadrat për Arsenalin.
Vendasit zgjohen dhe japin përshtypjen se mund të përmbysin këtë ndeshje, me Zhirud që ka mundësinë të barazojë shifrat, por gjuajtja e tij këtë radhë ndalet nga Nojer. Megjithatë, bavarezët mbyllin gjithçka në minutën e 77-të, kur një harkim i Lahm devijohet në rrjetë nga Manxhukiç, që vulos këtë fitore shumë të rëndësishme 3-1 në fushën kundërshtare.
Duke parë formën e dobët të Arsenalit dhe nervozizmin e theksuar të “topçinjve” me në krye trajnerin Venger, duke thuajse e pamundur që Arsenali të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit në Mynih. Ndërkohë, me të drejtë lind edhe pyetja: Me një Bajern kaq vdekjeprurës nën drejtimin e Heinkes, a ishte me të vërtetë e nevojshme të nënshkruhej me Guardiolën?

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *