Home / Sport / Baltimore fiton Super Bowl 2013

Baltimore fiton Super Bowl 2013

Baltimore Ravens thyen gjithë parashikimet duke fituar një nga përballjet më të luftuara dhe të bukura të historisë së Super Bowl-it.

Super Bowl për një super ndeshje. Baltimore Ravens thyen gjithë parashikimet duke fituar një nga përballjet më të luftuara dhe të bukura të historisë së Super Bowl-it. 4 orë e 14 minuta, të gjitha në ekranin e SuperSport dhuruan gjithçka që ky sport përfaqëson, grintë, përplasje, pikë spektakolare dhe rikuperime të pabesueshme. Në mbremjen e New Orleans nuk mungoi madje as black out-i dhe problemet akustike në pushim të ndeshjes kur Beyonce shkriu akujt mes tifozerive. Gjithsesi, këto detaje janë vetëm maja e ajsbergut për një takim ku njerëzit me zemër të dobët mund të kenë pasur probleme. Ravens-at e nisën me një frymë ndeshjen. Touchdown dhe dominim përgjatë gjithë fraksionit të parë që e mbyllën me rezultatin e thellë 28-6.

Arkitekti i suksesit të përkohshëm ishte lojtari me origjinë italiane, Joe Flacco, i cili shërbeu saktësisht tre herë për Boldin, Pittan e Jones. Nga ana tjetër, kalifornianët i lejuan vetes shumë gabime, ku nuk finalizuan me touch down disa aksione dhe u mjaftuan vetëm me field goal. Fundi i pjesës së parë dhe 49-ers u menduan të eliminuar me 22 pikë më pak se rivalët nga Baltimora. Por skuadra e vëllait të vogël, Jim Harbaugh bëri një gjysmë mrekullie sepse asnjë ekip nuk kishte rikuperuar më shumë se 10 pikë disavantazh në një finale. Papritur gjithçka u bë më e komplikuar sepse San Francisco nën drejtimin e Kaepernick rihyn bindshëm në lojë. Në periodën e tretë, Colin i shërbeu një top të gjatë nga 31 jardët Crabtree dhe më pas Gore u turr nga vija e 6 jardëve duke rikuperuar terren.

Në pak më shumë se 4 minuta, Ravens nuk u besonin syve sepse 49-ers rikuperuan diferencën e madhe duke e ngushtuar rezultatin në 28-23 dhe papritur gara u rihap. San Francisco u afrua derri në 31-29 por ëndrra përfundoi këtu sepse mbrojtja e Baltimore e drejtuar nga Ray Lewis tregoi karakter, duke i dhuruar titullin e dytë skuadrës së divizionit lindor. Askush nuk ka dyshime, kjo ishte finalja e fituar nga mbrojtja e “korbave” që u bë mur në linjën e 5 jardëve për të mos lëshuar asnjë centimeter. Në të gjitha tentativat, Kaepernick thjesht përplasi kokën për ta çarë mburojën njerëzore. Sfida e vëllezërve, iu caktua kështu më të madhit të familjes John Harbaugh, i cili shtrëngoi dorën me vëllain Jim përpara një stadiumi që në fund u pajtua me faktin se bëhet fjalë për një lojë ku njëri prej tyre duhej të dilte fitimtar. Italoamerikani Flacco u shpall lojtari më i mirë i finales, duke marrë me vete edhe rekordin e Joe Montana-s me 11 touchdown të shërbyer në një Super Bowl. Historia shkroi një tjetër faqe të lavdishme për këtë sport, por tani të gjithë shkojnë drejt pushimeve të merituara për t’u kthyer një vit më vonë në finalen e New Yorkut ku ndoshta protagoinistë të tjerë do të kërkojnë të shkruajnë emrin në librin e një prej sporteve më të ndjekur të planetit. Super Bowl ju lë takim pas 356 ditësh…

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *