Home / Sport / Cana: Në kombëtare, vetëm ata që e ndjejnë fanellën

Cana: Në kombëtare, vetëm ata që e ndjejnë fanellën

Kombëtarja shqiptare luan sot në mbrëmje ndeshjen e parë për vitin 2013, teksa përballë do të ketë një skuadër shumë të njohur, si Gjeorgjia.

Kuqezinjtë janë përballur shpesh në 10 vitet e fundit me këtë kundërshtar, aq sa misteret mes tyre thuajse mungojnë. Trajneri Xhani De Biazi kërkon të shohë formën e futbollistëve në prag të sfidës me Norvegjinë, në program më 22 mars, ndërsa në aspektin e aplikimit të skemave, kjo ndeshje duket se ka shumë pak vlera.

Norvegjia është një skuadër dukshëm superiore dhe Shqipëria do ta ndërtojë ndeshjen më shumë në mbrojtje, ndërkohë që sot në mbrëmje, pritet që vëmendja të jetë e orientuar drejt sulmit.

“Duhet të luajmë një ndeshje që do të na ndihmojë për të ardhmen, pasi në mars luajmë me Norvegjinë në eliminatoret e Botërorit, – deklaroi kapiteni Lorik Cana. – Skuadra jonë është në ndërtim e sipër, me këtë ekip mund të shohim nga e ardhmja. Kemi shumë lojtarë të rinj, që vijnë për herë të parë këtu dhe kjo është diçka pozitive”, shtoi ai.

Në fakt, pritet që vetëm një pjesë e këtyre të rinjve të kenë pak minuta në dispozicion në ndeshjen e sotme. Në lidhje me situatën në grupin eliminator ku bën pjesë Shqipëria, Cana u shpreh se asgjë nuk është e pamundur, duke parë se mes skuadrave ka shumë pak diferencë.

“Ne na duhet të përgatisim sa më mirë ndeshjen me Norvegjinë, kështu që miqësorja me Gjeorgjinë them se do të na vlejë. Në këtë grup ka konkurrencë të madhe, pasi nuk ka një ekip që të bëjë diferencën. Mendoj se çdo skuadër mund t’i marrë pikë tjetrës”, u shpreh më tej kapiteni kuqezi.

Refuzimet
Lorik Cana ka bërë edhe një koment në lidhje me futbollistët që ngurrojnë apo refuzojnë të luajnë për ngjyrat kuqezi.

Referuar rasteve të fundit, të Ergys Kaçes në Greqi dhe Mërgim Brahimit në Zvicër, kapiteni i Shqipërisë ka kërkuar që të ketë më shumë patriotizëm në zgjedhjen e tyre.

“Ju e dini të gjithë se çfarë mendoj për lojtarët që refuzojnë të luajnë për Shqipërinë, – deklaroi Lorik Cana. – Çdo futbollist duhet të bëjë zgjedhjen e tij, siç e mendon ai, por nëse do të vijë në kombëtare, duhet ta bëjë se e ndjen këtë fanellë. Nuk mendoj se na nevojiten ata që e përdorin kombëtaren si trampolinë për karrierën e tyre personale. Ne i mirëpresim të gjithë ata që dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë, kurse ata që kanë dyshime është më mirë të mos vijnë fare. Personalisht, nëse nuk do isha pjesë e Shqipërisë, nuk do të kisha luajtur me asnjë kombëtare tjetër, pasi jam shqiptar dhe më takon të luajë për këtë skuadër”, shtoi Cana.

“Kush nuk e ndjen veten shqiptar, nuk ka pse të vijë, – vijoi Bogdani. – Por, unë u them këtyre të rinjve që të mendohen mirë përpara se të bëjnë një zgjedhje, pasi nuk ka gjë më të bukur se të përfaqësosh vendin tënd”.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *