Home / Lajme / Rajon / Haradinaj takon parlamentarë dhe lordë britanikë

Haradinaj takon parlamentarë dhe lordë britanikë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, vazhdoi me agjendën e tij në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Dhomën e Lordëve dhe takime me institucione të tjera.

Në Dhomën e Lordëve Haradinaj takoi Lordin Bowness, me të cilin bisedoi për vizionin lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës si një vend i ri, që për synim ka përqafimin e idealeve evropiane nëpërmjet forcimit të identitetit, respektimit të parimeve të shtetit ligjor dhe forcimit të mëtutjeshëm të institucioneve.

Ndërsa, në takimet që zhvilloi Haradinaj në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar me deputetë të ndryshëm, ritheksoi nevojën për bashkëpunim intensiv në mes të Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe atij Britanik.

Sipas njoftimit të lëshuar nga AAK, Haradinaj, duke prezantuar vizionin e tij për të ardhmen politike, institucionale dhe integruese të Republikës së Kosovës, kërkoi nga përfaqësuesit e popullit britanik që të inkurajojnë dhe mbështesin aspiratën e Kosovës për integrim dhe evropianizim të plotë dhe të vërtetë në të gjitha nivelet, nga pikëpamja politike, institucionale, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Duke iu referuar zhvillimeve dhe sfidave të ditës që ka shteti dhe politika e Kosovës sot, theksoi nevojën për një vetëdije më të lartë për bashkëpunim dhe bashkërendim të aktorëve institucional dhe politik.

Kryetari Haradinaj, duke iu referuar 5-vjetorit të pavarësisë, konfirmoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës do të jetë e mirë dhe e ndritur, kur të jetë e ardhme e përbashkët e çdo qytetari, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë sociale apo etnike.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *