Home / Sport / Kampionët, sonte përballja Milan-Barcelona

Kampionët, sonte përballja Milan-Barcelona

Një nga ndeshjet më interesante të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve do të zhvillohet sonte në “San Siro” (20:45), ku do të ballafaqohen Milani dhe Barcelona, klube këto që gjithsej kanë fituar 11 trofe të kësaj gare.

Barcelona vjen në këtë sfidë e udhëhequr nga ylli i saj kryesor, Lionel Mesi, me qëllimin për t’iu gëzuar fitores. Por, në anën tjetër edhe kuqezinjtë e Masimiliano Alegrit i kanë ambiciet e tyre dhe i hyjnë kësaj ndeshje pa frikë, sidomos duke pasur parasysh faktin se në shtatë ndeshjet e fundit kanë realizuar gjashtë fitore. Megjithatë, një dëm i madh për Milanin është pamundësia e paraqitjes së Mario Balotellit, i cili nuk ka të drejtë loje në Ligën e Kampionëve, ngase në pjesën e parë të edicionit ka luajtur për Mançester Sitin. Trajneri i dytë i Barcelonës, Zhordi Rura, i cili po e udhëheq skuadrën në mungesë të Tito Vilanovës, është shprehur i matur në prag të kësaj sfide, duke deklaruar se Milani dhe Barcelona i kanë gjasat e barabarta për t’u kualifikuar tutje.
“Milani është një skuadër e shkëlqyer dhe nuk është lehtë të luash ndaj tyre. Kualifikimi do të vendoset në Barcelonë. Nuk mund të flasësh për favoritë në ndeshje të këtilla”, ka thënë 45-vjeçari Rura. Ndërkohë, trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri ka kërkuar nga skuadra e tij të ketë besim në kualifikim. “Kjo do të jetë një natë e mrekullueshme, ku klubi më i suksesshëm do të përballet me ekipin më të mirë në botë. Ne do të japim gjithçka tonën, pa asnjë diskutim. Barça do të përballet me forcën, kurajën dhe shpirtin kuqezi. Nuk ka rëndësi nëse përballemi me Barcelonën, Juven apo Real Madridin. Ne duhet të jemi të përqendruar, të orientuar mirë teknikisht e taktikisht. Duhet të përpiqemi që ta kufizojmë sa të mundemi zotërimin e topit nga Barça, në të kundërt do ta kemi punën pisk. Ajo që nuk mund t’i lejosh një skuadre si Barcelona është hapësira. Le të futemi në fushën e lojës me bindje dhe vetëdije që mund të trokasim në raundin vijues të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Alegri.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme, që pa dyshim mbetet nën hijen e supersfidës në “San Siro”, do të zhvillohet në Stamboll, ku Gallatasarai e pret Shalken. Skuadra e Galatasarayt që po kalon momente të shkëlqyeshme do të jetë nikoqire e ndaj skuadrës së Schalke 04 në kuadër të ndeshjeve të ligës së kampionëve. Trajneri turk Fatih Terim ka thënë se skuadra e tij do të kërkojë me çdo kusht fitoren në këtë përballje ndaj ka kërkuar impenjim maksimal nga futbollistët e tij për të shpërblyer tifozerinë më të zëshme në botë, atë të skuadrës turke. Ndeshja e cila fillon në ora 20:45 është nën hijen e sfidës së San Siros megjithatë pritet që edhe këtu te ketë gola dhe emocione si në fushën e blertë ashtu edhe në tribunat e stadiumit.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *