Home / Sport / Kasami-Stekelenburg-Odemuingi, tre çudi në merkato!

Kasami-Stekelenburg-Odemuingi, tre çudi në merkato!

Mesfushori nga Struga Pajtim Kasami, portieri holandez Marten Stekelenburg dhe sulmuesi nigerian Peter Odemuingi janë shembulli konkret se si mund të dështojë një transferim në merkato, pas ngjarjeve të çuditshme në të cilat ato janë bërë protagonistë në ditën e fundit të merkatos së janarit.

Pajtim Kasami pritej të kalonte nga Fullhem te Peskara, me klubin italian që ishte i gatshëm t’i ofronte atij fanellën e titullarit.

Por akordi është arritur vetëm pak minuta para mbylljes së afatit zyrtar të merkatos në Itali, që është ora 19:00 e 31 janarit. Klubi italian ka plotësuar dokumentacionin e detyrueshëm online në orën 18.56 por lidhja e dobët e internetit në hotelin ku është vendosur qendra e merkatos, ka bërë që ai të depozitohej pas orës 19:00, duke bërë që të dështonte transferimi i futbollistit. “Ky është një hotel m…”, ishte komenti i menaxherit të famshëm Mino Raiola që është larguar si i tërbuar nga ambientet e hotelit pas këtij dështimi spektakolar dhe pa precedent.

Më keq i ka shkuar portierit të Romës, Marten Stekelenburg. Titullari i kombëtares së Holandës ishte nisur me avion drejt Londrës, i bindur se klubi italian kishte gjetur akordin me atë anglez dhe tashmë i mbetej vetëm të negocionte kontratën personale. Por ndërsa ai gjendej në fluturim, marrëveshja mes palëve është anuluar pasi Roma nuk ka gjetur një zëvendësues dhe i ka bërë të ditur Fullhemit se nuk do të shesë portierin holandez. Mund të imagjinohet lehtë tronditja e Stekelenburg kur ka zbritur në aeroportin e Londrës dhe përfaqësuesit e Fullhem i kanë dhënë menjëherë në dorë një biletë avioni për t’u kthyer në Romë.

Por çmimin për absurditetin e ditës së fundit të merkatos e meriton padyshim sulmuesi nigerian i Uest Bromuiç, Peter Odemuingi. Ky i fundit, pa marrë leje nga klubi i tij, apo pa e kërkuar askush nga QPR, është shfaqur para derës së klubit londinez duke kërkuar që të nisë bisedimet për t’u transferuar te kjo skuadër. QPR, për të evituar sanksione të mundshme nëse kontaktonte me këtë lojtar pa lejen e Uest Bromuiç, nuk ka lejuar lojtarin as të parkojë makinën në ambiente e klubit, duke e lënë të presë jashtë derës, derisa ai është mërzitur dhe është larguar. Kuptohet që veprimi i tij është dënuar nga Uest Bromuiç që ka paralajmëruar për gjoba të ashpra ndaj sulmuesit, ndërsa trajneri i QPR, Herri Redknap ka qenë po aq i shtangur nga veprimi absurd i Odemuingi. “Më vjen keq për të, po kjo marrëveshje nuk ekzistonte. Dikush duhet ta ketë lajmëruar gabim”, tha ai.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *