Home / Sport / Klop parashikon vuajtje për Guardiolën te Bajerni

Klop parashikon vuajtje për Guardiolën te Bajerni

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, parashikon se Pep Guardiola nuk do ta ketë të lehtë të përshtatet me Bajern Mynih, ashtu siç ndodhi te Barcelona. Sipas tij, nuk mund të jepet një opinion përfundimtar për trajnerin spanjoll pa e parë se si punon me lojtarë më pak të njohur se ata katalanas.

“Gjëja që të bën më shumë përshtypje është se si Barcelona luan në sulm. Mesi shënon dhe gëzohet sikur të ishte hera e tij e parë. Ksavi rikuperon çdo top si të ishte për herë të parë në jetën e tij dhe ty të jepet përshtypja se ai do ta marrë topin, ta përkëdhelë dhe pastaj të vazhdojë të luajë. E njëjta gjë edhe për Iniesta e Buskets, të cilët janë përgjegjës për punën në mesfushë”, tha Klop për “El Pais”.
“Pujol është i pabesueshëm, model tronditës flokësh por një super lojtar, fillimisht një qenie njerëzore me një zemër të madhe. Ai theu bërrylin dhe u kthye të luante pas dy javësh. Me një motivim të tillë kjo skuadër luan për fitore. Ky është një model, kam lexuar në një intervistë të Ksavit ku e pyetën nëse dëshironte të bëhej trajner dhe ai tha se po i gëzohej ditëve si lojtar. Ata janë më të mirët në botë dhe kjo është meritë e Pep, padyshim. Ai bëri një punë të shkëlqyer. Por ai nuk do të ketë lojtarë të tillë në çdo klub ku shkon dhe e di një gjë të tillë. Tani ai duhet të na tregojë se si ia del mbanë kur ka lojtarë që janë disi më pak të mirë se këta”, tha 45 vjeçari që pritet të krijojë një rivalitet të fortë për bavarezët e Guardiolës në sezonet e ardhshme.
Trajneri gjerman mendon se stili i skuadrës së tij është ai që i përshtatet shumë më tepër katalanasve në mentalitet, sesa rivalëve historikë të Real Madrid.
“Jemi më pranë lojës së Barçës si mentalitet për trysninë që ushtrojmë në fushë, për mbrojtjen e lartë. Të gjithë duan të luajnë si Barcelona, por nuk është e mundur pa Mesi, Ksavi e Iniesta. Por plani i tyre mbrojtës është perfekt”, shpjegoi Klop. “Ne duam të jemi të shpejtë në mendje dhe në këmbë. Nuk ka asnjë mbrojtje kundër gjërave që bëhen me saktësi dhe shpejtësi”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *