Home / Lajme / Rajon / OBI kërkon njohjen e Kosovës

OBI kërkon njohjen e Kosovës

Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), gjatë punimeve në Kajro, ka miratuar një deklaratë me të cilën u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të saj, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin vendim për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në deklaratën finale të Samitit riafirmohet apeli i bërë në rezolutën e mëhershme të kësaj organizate, të miratuar në Sesionin e Ministrave të Jashtëm të OBI-të, në nëntor të vitit të kaluar, për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare.

Po ashtu, rikonfirmohet thirrja për shtetet anëtare në OBI që të vazhdojnë kontributin e tyre për fuqizimin ekonomik të Kosovës.

Samiti zgjodhi sekretarin e ri të përgjithshëm të kësaj organizate, sauditin Iyad Al-Madani, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën në vitin 2014.

Këtë deklaratë e ka përshëndetur menjëherë shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i cili i ka uruar sukses edhe Al-Madanit në postin e sekretarit të ardhshëm.

Sipas komunikatës së MPJ-së, Hoxhaj i ka adresuar mirënjohje të posaçme sekretarit të përgjithshëm aktual të OBI, turkut Ekmeleddin Ihsanoglu.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (më parë e quajtur Organizata e Konferencës Islamike) është organizata e dytë më e madhe ndërkombëtare (pas Kombeve të Bashkuara) dhe përfshin në gjirin e saj 57 shtete nga katër kontinente.

Deri më tash vendin tonë e kanë njohur 31 vende nga OBI.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *