Home / Lajme / Rajon / Pak shpresë për pasaportat

Pak shpresë për pasaportat

Prishtinë, 05 Shkurt – Pavarësisht ndërprerjes së kontratës për furnizim me pasaporta elektronike, Ministria e Punëve të Brendshme zotohet se nuk do të ketë ngecje në pajisjen e qytetarëve me pasaporta. Sekretari permanent i kësaj ministrie, Ilhami Gashi, thotë se ka rezerva të mjaftueshme të pasaportave dhe atë deri në përzgjedhjen e kompanisë së re e cila do të pasojë punën e kompanisë austriake OeSD.

Me këtë të fundit MPB-ja ka shkëputur kontratën të enjten e javës së kaluar për shkak të zbulimit të një skandali ku janë keqpërdorur 1.4 milion euro. Një ditë pas shkëputjes së kontratës, Ilhami Gashi të hënën ka thënë se MPB ka shpallur tenderin për kompaninë e re.

“Të premten është hapur tenderi ndërsa sot dy javë (18 shkurt) do të jetë hapja e ofertave dhe ky tender do të kryhet me procedurë të përshpejtuar. Shpresojmë që çdo gjë do të shkoj mirë në mënyrë që të mos kemi ngecje në këtë drejtim”, ka pohuar Gashi, shkruan “Zëri”.

Por këtij premtimi të dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme përmes sekretarit permanent Ilhami Gashi, i besojnë pak e hiç njohës së punës që ka bërë Ministria që udhëhiqet tashmë nga Bajram Rexhepi. Kjo edhe më shumë vihet në dyshim, duke pasur parasysh skandalet e njëpasnjëshme në MPB.

Burim Ramadani, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se në radhë të parë nuk mund t’i besohet kësaj ministrie që qytetarët vërtet nuk do të kenë problem për pajisje me pasaportat për shkak se, sipas tij, nuk është dëshmuar që ka pasaporta të mjaftueshme të prodhuara.

E sa i përket tenderit që është hapur të premten, Ramadani kërkon që të jetë gjithçka transparente në mënyrë që të mos përsëritet “afera e turpit”, siç e quan ai.

“Çështja e tenderit duhet të jetë tepër transparente sepse zyrtarët e kësaj Ministrie njëherë na kanë dëshmuar që çka dinë të bëjnë me tenderë prandaj unë propozoj që në të gjitha etapat e tenderimit, të jenë të ftuara mediat, shoqëria civile dhe palët e interesuara madje edhe në hapjen e tenderit, edhe në vlerësimin e ofertave, edhe paraprakisht në pranimin e ofertave dhe gjithçka duhet të jetë 100 për qind e incizuar me kamera”, thotë Ramadani.

Edhe zyrtarët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po ashtu shfaqin dyshim në procesin fer të MPB-së gjithnjë duke pasur parasysh përvojën e kaluar me MPB-në.

“Duke pasur parasysh skandalet e panumërta në MPB, përfshirë edhe atë me pasaportat, nuk pres proces të rregullt dhe as transparent”, thotë Vjosa Osmani, deputete e LDK-së.

Skandalet në të cilat është përfshirë Ministria e Punëve të Brendshme, sipas saj, kanë dëmtuar në masë të madhe jo vetëm kredibilitetin e kësaj ministrie por edhe procesin e liberalizimit të vizave, pasojat për të cilat i bartin vetë qytetarët e Kosovës.

Zëdhënësi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, ndërkaq shkon edhe më larg duke e quajtur MPB-në si ministrinë më të korruptuar dhe me më së shumti skandale në Qeverinë aktuale.

“Prej një ministrie, zyrtarët e së cilës, kërkojnë haraç për cilindo projekt që është në ingerencë të tyre, qoftë për pasaporta, tabela të automjeteve, apo edhe programit për riatdhesim, jo që nuk mund të pritet transparencë, por skandale të reja edhe më të mëdha. Kjo ministri duhet spastruar, përgjegjësit duke filluar nga vetë ministri, duhet të shkarkohen dhe të hetohen penalisht. Dorëheqja nuk mjafton”, thotë Vraniqi.

E tërë kjo “zhurmë” për pasaporta ka nisur nëntorin e vitit të kaluar kur gazeta ka raportuar për avullimin e 1.4 milion eurove si rezultat i keqpërdorimeve që ishin bërë mes MPB-së dhe kompanisë austriake OeSD si përfituese e tenderit. Në lidhje me këtë skandal në paraburgim vazhdon të gjendet Natali Velija, përfaqësuese e OeSD për Kosovë, ndërsa ministri Bajram Rexhepi ka shkarkuar nga puna katër zyrtarë.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *