Home / Lajme / Rajon / Rasmussen: KFOR do të vazhdojë të garantojë paqen në Kosovë

Rasmussen: KFOR do të vazhdojë të garantojë paqen në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua të mërkurën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen. Ky i fundit deklaroi se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes e stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e FSK-së, ndërkaq theksoi edhe rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

Jahjaga dhe Rasmussen diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi, si dhe vlerësuan rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Evropës Juglindore.

Presidentja e falënderoi për mbështetjen e ofruar ndaj FSK-së, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi dhe asistence, duke e siguruar Sekretarin e Përgjithshëm, Rasmussen që FSK do të vazhdojë mandatin e saj në respektim të standardeve evropiane dhe në koordinim të plotë me NATO-n.

Ajo tha se e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-në me mbështetje të fuqishme nga SHBA-të, që po zhvillohet nga kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasi që është e vetmja mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve që kanë një të kaluar të hidhur por që aspirojnë t’i bashkohen familjes së BE-së dhe NATO-s.

“Ajo vlerësoi marrëveshjet e arritura nga ky dialogu që kanë për qëllim të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve, duke u ofruar perspektivë të qartë evropiane, si dhe falënderoi KFOR-in për angazhimin dhe punën që ka bërë në lehtësimin e implementimit të këtyre marrëveshjeve dhe në ofrimin e lirisë së lëvizjes të gjithë qytetarëve kudo që ata ndodhen”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve dhe shoqërisë së Republikës së Kosovës për t’u integruar në strukturat veri-atlantike dhe në BE, duke nxitur inicimin e marrëdhënieve kontraktuale, sidomos Programin Partneriteti për Paqe, dhe duke siguruar përkushtim për përmbushjen e kritereve të nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës. Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rasmussen vlerësoi procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.

Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *