Home / Sport / Rroga e Bekamit kthehet në debat politik në Francë

Rroga e Bekamit kthehet në debat politik në Francë

Devid Bekam është kthyer në epiqendrën e një debati politik të mirëfilltë në Francë për shkak të rrogës së tij minimale që do të marrë nga PSZH, duke mos paguar asnjë lloj takse në shtetin francez ndonëse është milioner.

37 vjeçari ka bërë të qartë se e gjithë rroga e tij për 5 muajt e ardhshëm, rreth 170 mijë paund në javë, do të shkojë për një fondacion bamirësie për fëmijët në Paris. Por kjo marrëveshje do të thotë se ai arrin të shmangë plotësisht taksën 75% që qeveria e presidentit Fransua Holland po imponon në vend ndaj të pasurve.
Sipas ligjit francez, ai duhet të pranojë si rrogë minimumin sindikal, në mënyrë që klubi të paguajë sigurime shoqërore dhe taksat ndaj qeverisë. Por shuma është mospërfillëse pasi në këtë mënyrë mesfushori milioner anglez përfiton 15 mijë euro në muaj, që do të thotë se do të paguajë një shumë qesharake për taksat, ndonëse teorikisht duhej të paguante 75% të rrogës së tij si taksë, ashtu si edhe 3% taksa mbi fitimin vjetor pasi është person që përfiton më shumë se 500 mijë euro në vit.
Duket se Bekam e ka studiuar mirë anën financiare të transferimit të PSZH, pasi ka nënshkruar kontratë 5 mujore me klubin francez, ndërsa ligjet në fjalë janë për personat që jetojnë në Francë 6 apo më shumë muaj. Sikur të mos mjaftonte kjo, duke lënë gruan dhe fëmijët në Londër, ai mund të deklarojë qetësisht se rezidenca e tij është në Angli dhe jo në Francë.
Kjo çështje ka bërë që të shpërthejë një debat i ndezur në sallën e parlamentit francez. “Ai do të paguhet më pak se asistentja ime”, ishin fjalët e deputetit konservator, Gerald Darmanin, i cili pretendon se shembulli i Bekam tregon qartësisht pse të pasurit dhe të famshmit nuk duan që të jetojnë në Francë dhe të gjitha këto para i ikin shtetit francez nga duart. Por Zherom Guedj, deputet i Partisë Socialiste në pushtet, mendon se Bekam do të shërbejë për të rritur ekonominë franceze. “Unë shoh një simbol. Ai do të krijojë pasuri përreth PSZH, të drejtat e imazhit, fanellat e shitura nga klubi. Kjo është prova se sistemi i taksave në Francë është në rregull”, ishin fjalët e tij në sallën e parlamentit.
Fakti se Bekam diskutohet si një aset ekonomik edhe në parlamentin francez ka rritur më shumë skepticizmin rreth transferimit të mesfushorit te kjo skuadër, pasi shumëkush mendon se gjithçka është një fushatë publicitare pa asnjë vlerë sportive.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *