Home / Lajme / Rajon / Thaçi e do Haradinajn, por jo si kryeministër

Thaçi e do Haradinajn, por jo si kryeministër

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që të përmbyllë temën e koalicionit qeverisës të nisur muaj më parë.

Deri tani, kryeministri aktual vetëm ka dëgjuar e lexuar nëpër media variante të ndryshme për ofertën që ia ka prezantuar AAK dhe lideri i saj Ramush Haradinaj për të bashkëqeverisur me PDK-në.
Këtë blerje kohe ndaj AAK-së, Thaçi e ka arsyetuar me Konventën e partisë së tij në të cilën u rikonfirmua si lider.

Një burim i afërt me kryeministrin Thaçi, i ka treguar gazetës “Tribuna Shqiptare” se tashmë kryeministri është duke e dizajnuar përgjigjen finale për AAK-në pas shqyrtimit të ofertës së Haradinajt pas kthimit të tij në Kosovë nga Haga.

“Deri tani kemi parë vetëm spekulime dhe deklarata mediave sa i përket koalicionit. Kryetari i AAK-së Haradinaj në takim me kryetarin e PDK-së Thaçi nuk i ka thënë decidivisht se e kërkon postin e kryeministrit, sepse ai e din se ai post nuk është dhuratë, nuk falet. Kërkesën e tij Haradinaj e ka shpalosur nëpër takime tjera me elektorat të partisë së tij dhe në media. Ne kemi heshtur deri tani sepse ka qenë Konventa e partisë dhe tani është koha që ta përmbyllim këtë diskutim”, ka thënë burimi i gazetës brenda kabinetit të kryeministrit Thaçi.

Sipas të njëjtit burim, ditëve në vijim do të përmbyllet ky diskutim me një ofertë që kryeministri Thaçi është duke e përgatitur për AAK-në.

“Oferta është duke u dizajnuar dhe ajo parasheh zgjerim të koalicionit qeverisës, por jo largim të ndokujt nga partnerët. AAK-së do t’i propozohen disa pozita të rëndësishme udhëheqëse në Qeveri, por assesi posti i kryeministrit. Megjithëse zyrtarët e AAK-së kanë thënë nëpër media se nuk hynë në Qeveri pa kryetarin e tyre kryeministër, ne e kemi obligim që ta paraqesim ofertën tonë për bashkëngjitjen e tyre në koalicion. E pastaj mbetet tek ata që të vendosin”.

Pavarësisht qëndrimit të AAK-së pas marrjes së kësaj oferte nga Thaçi, burimi i gazetës ka shpjeguar se nuk do të ketë ftohje të raporteve mes dy partive, pasi që ato tashmë kanë marrë një trajtë të re të zhvillimit dhe do të kultivohen pozitivisht.

“Bashkëpunimi mes dy partive do të vazhdojë edhe nëse AAK nuk futet në Qeveri. Deri në zgjedhjet e ardhshme AAK do t’i japë mbështetje konstruktive zhvillimeve të përgjithshme në vend. Ndërsa, kur vjen koha e zgjedhjeve mund të ketë marrëveshje të re për të gjitha postet institucionale. Mund të ndodh të kemi edhe koalicion parazgjedhor ku Haradinaj promovohet për kryeministër e Thaçi për president. Por, tani posti i kryeministrit nuk mund të diskutohet”.

Krahas përmbylljes së diskutimeve me AAK-në, kryeministri Thaçi është duke finalizuar edhe një marrëveshje të re me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *