Home / Lajme / Maqedoni / Thaçi: Të delegjitimojmë zullumqarët e shqiptarëve

Thaçi: Të delegjitimojmë zullumqarët e shqiptarëve

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka theksuar se shqiptarët me votën e tyre përfundimisht duhet të delegjitimojnë politikën mashtruese të BDI-së, e cila sipas tij, pretendon se ka mandatin për përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoni.

“Këta zullumqarë dhe mashtrues të shqiptarëve sa më parë duhet delegjitimuar dhe nëse kjo nuk bëhet do të vazhdojmë me probleme edhe më të theksuara. Zgjedhjet lokale janë një parametër dhe parakusht për krijimin e pozicionit sa më të mirë edhe për zgjedhjet parlamentare, që me siguri do të mbahen këtë vit, prandaj duhet legjitimuar Platforma e PDSH-së, me fitoren e Ziadin Selës dhe kandidatëve të tjerë”, ka theksuar kreu i PDSH-së, në takimin me banorët e rajoneve periferike të Strugës.

Thaçi ka qëndruar në fshatrat Belicë, Shum, Zagraçan, Frëngovë dhe Ladorishtë, ku ai ka theksuar nevojën që banorët e këtyre vendbanimeve në zgjedhjet e ardhshme duhet të ndryshojnë gjendjen në rajonin e gjërë të Strugës.

Duke folur për politikat e koalicionit aktual, ai u përqëndrua edhe në ligjin për të ashtuquajturit ‘branitellat’.

“Është mashtrim që pengohet ligji për ‘branitellat’, sepse, për ‘branitellat’ janë ndarë mjete buxhetore për 220 banesa, mjete për shkollime dhe beneficione të tjera, ndërsa shqiptarët nuk kanë asgjë nga kjo. Nëse e marrim si shembull Strugën dhe gjendjen infrastrukturore në Strugë që është dështim total, ky dështim nuk është vetëm dështim i Ramiz Merkos, por është dështim në rend të parë i pushtetit qendror, që nuk bëri asnjë investim kapital në Strugë dhe mendoj se 90% e fajit të këtij dështimi është pushteti qendror”, deklaroi Thaçi.

Kandidati për kryetar të komunës së Strugës, nga radhët e PDSH-së, deputeti Ziadin Sela bëri një retrospektivë të aktivitetit të deputetëve në Parlament, duke e ndërlidhur me gjendjen katastrofale në komunën e Strugës.

“Ju kujtohet se para katër vjetëve, BDI në Strugë duke luftuar për ‘Strugën shqiptare’, liderin e PEA, e quajtën ‘Filip’ dhe joshqiptar, ndërsa sot po me atë Filip që e bënë shqiptar do të garojnë për të vazhduar drejtimin e komunës. Kjo flet mjaft për karakterin e oponentëve tanë dhe natyrisht se do të angazhohemi që këtë ta denoncojmë dhe ta dënojmë me një organizim dhe me votën tonë për PDSH-në. Është thënë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ndërsa për të marrë shtetësinë e Maqedonisë, personat detyrohen të japin provim nga gjuha maqedonase. Nëse gjuha shqipe është zyrtare, atëherë pse të jepet provim nga gjuha maqedonase?. Problemi me ligjin për flamurin kombëtar është jashtë çdo logjike të shëndoshë, sepse është cunguar flamuri kombëtar. Nga ana tjetër, duke tentuar ta pengojnë ligjin për branitellat, ata miratojnë buxhetin ku janë paraparë mjete buxhetore për ta, etj. Këtë politikë dhe këto veprime duhet ti dënojmë me votë, që nesër të kemi një situatë krejt tjetër. Shembull konkret të trajtimit e kemi Minir Ismailin, i cili për djegien e flamurit u dënua dhe tani vuan dënimin me burg, ndërsa janë djegur qindra flamuj shqiptar, janë kërkuar komora gazi për shqiptarët e askush nuk është marrë në përgjegjësi dhe nuk është dënua”, përfundoi Ziadin Sela.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *