Home / Lajme / Rajon / Turqia përkrah Kosovës në të gjitha proceset

Turqia përkrah Kosovës në të gjitha proceset

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Munih të Gjermanisë me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu. Shefi i diplomacisë turke theksoi se Turqia do të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset dhe do ta ndihmojë atë në të gjitha fushat.

Presidentja Jahjaga i shprehu mirënjohje ministrit Davutoglu për ndihmën që Turqia po vazhdon t’i japë Kosovës dhe në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të vendit e falënderoi për përkrahjen në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, posaçërisht në lobimin për njohjen e pavarësisë së fundmi nga Pakistani.

Jahjaga theksoi se Kosova ka përparuar në agjendën e saj evropiane dhe po përmbushë të gjitha standardet të kërkuara nga BE-ja, përfshirë ato për liberalizimin e vizave dhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ajo theksoi se Republika e Kosovës është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe po kontribuon në ndërtimin dhe forcimin e fqinjësisë së mirë, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Duke folur për dialogun ndërmjet dy vendeve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se normalizimi i marrëdhënieve do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Ajo theksoi se takimi mes dy presidentëve të shteteve të pavarura dhe sovrane, do ta ndihmojë procesin e dialogut dhe do ta përshpejtojë agjendën evropiane për gjithë rajonin e Ballkanit.

Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë duhet të thellojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre në veçanti në fushën e ekonomisë dhe të investimeve. Ajo i përcolli ministrit turk ftesën për Presidentin e Republikës së Turqisë për ta vizituar Kosovën në një të ardhme të afërt.

Ministri Davutoglu duke shprehur falënderimin për ftesën theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë po ndërtojnë marrëdhënie ndërmjet vete që janë shembull për gjithë rajonin. Ai theksoi se Turqia do të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset dhe do ta ndihmojë atë në të gjitha fushat. Davutoglu theksoi se Turqia do t’i jap përkrahje Kosovës posaçërisht në procesin e njohjes së pavarësisë së saj dhe do ta mbështesë edhe dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *