Home / Sport / Valdet Rama prezantohet te Vajadolid: Dua të qëndroj gjatë këtu!

Valdet Rama prezantohet te Vajadolid: Dua të qëndroj gjatë këtu!

Valdet Rama është prezantuar si blerja e re e skuadrës së Real Vajadolid, me të cilën ka lidhur fillimisht një kontratë deri në fundin e sezonit, me të drejtë rinovimin e saj nëse gjërat shkojnë siç pritet nga të dy palët.

Lojtari që aktivizohej në Suedi me Orebro, ka zgjidhur personalisht kontratën me klubin e mëparshëm, për t’iu bashkuar ekipit spanjoll.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që më jepet kjo mundësi për të luajtur te Real Vajadolid. Do të bëj maksimumin për të dhënë më të mirën time dhe për t’iu përgjigjur besimit që drejtuesit e klubit kishin ndaj meje. Tani dua të tregoj më të mirën dhe të bind të gjithë për rendimentin tim dhe se mund të qëndroj këtu për shumë vite me radhë”, tha ai në konferencën për shtyp të prezantimit para mediave spanjolle.
Lojtari kosovar, që ka edhe pasaportën gjermane, ka shpjeguar pak se si luan ai, ashtu si edhe sa njohuri ka për skuadrën e re.
“Kur luaj në krahun e majtë, pozicion në të cilin jam aktivizuar më shumë zakonisht, kam tendencën të depërtoj në qendër dhe të kërkoj më shumë portën. Ndërsa në të djathtën kam më shumë prirje për të bërë harkime në zonë”.
“E njoh Real Vajadolid pasi ndjek kampionatin spanjoll dhe njoh edhe lojtarët e kësaj skuadre si Ebert. Meqë menaxheri im më tha që në fillim të muajit se ekzistonte mundësia për transferim në këtë skuadër, kam ndjekur me vëmendje ndeshjet e këtij ekipi dhe më pëlqen mënyra se si ka luajtur”, deklaroi Rama në ditën e prezantimit të tij si lojtari i ri i Real Vajadolid.
Mesfushori kosovar ka qenë shpesh në planet e drejtuesve të FSHF për ta afruar me kombëtaren shqiptare, që nga periudha kur shpërtheu te të rinjtë e Volfsburg, por dëmtimet apo problemet me transferimet nga një skuadër në tjetrën kanë bërë që atij të mos i jepet ende një mundësi për të veshur fanellën kuqezi.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *