Home / Sport / Baloteli zgjedh Murinjon para Mançinit

Baloteli zgjedh Murinjon para Mançinit

Mario Baloteli ka zbuluar në një intervistë të dhënë për “Le Iene” se po t’i duhej të zgjidhte mes trajnerëve më të mirë që e kanë drejtuar në karrierën e tij, preferenca futbollstike do të binte mbi Zhoze Murinjon.

“Në nivelin njerëzor do të zgjidhja Mançinin, por në nivel futbollistik është më i mirë Murinjo. Kemi pasur shumë zënka në fushë, por më kujtohen edhe momentet e gëzimit mes nesh, kur qeshnim. Por si trajner në fushë më kujtohen shumë momente kur punonim dhe luanim me ritme dhe intensitet të madh, pasi ishte ajo që dëshironte ai”, ka treguar sulmuesi italian. “Me Mançinin flas më rrallë. Zënka me të në stërvitje? U inatos se kisha bërë një faull, vetëm kaq. Pastaj u pajtuam”.
Më pas, Baloteli ka zbuluar se cilët janë idhujt e tij në futboll, ndërsa ka pranuar se është vetëm faji i tij se nuk ka arritur ende që të fitojë një trofe prestigjioz si “Topi i Artë”.
“Tre lojtarë që admiroj janë Mesi, Ronaldo dhe Ibrahimoviç. Kush janë tre lojtarë më të fortë se unë? Gjithmonë Mesi, Ronaldo dhe Ibrahimoviç. Por është faji im nëse nuk kam arritur të fitoj asnjëherë “Topin e Artë” deri tani. Shpresoj që në të ardhmen të arrij të kthehem në futbollistin më të fortë në botë, edhe pse më duhet të përmirësohem thuajse në gjithçka”.
Në fund, sulmuesi italian ka zbuluar edhe disa nga “mitet” që e kanë shoqëruar në vitet e fundit rreth bëmave jashtë fushës së lojës.
“Rreth meje janë shpikur shumë histori. Të vërteta janë vetëm 0.01%. Nuk është e vërtetë që kam djegur shtëpinë me fishekzjarr, as që jam zënë me tifozët e Mançester Junajtid. Edhe aksidentet me makina nuk ishin faji im, më kanë përplasur dy herë. Por është e vërtetë që kam gjuajtur me shigjeta djemtë e akademisë së Mançester Sitit dhe që kam porositur një statujë timen për ta vendosur në shtëpi”, ishin zbulimet e sulmuesit italian.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *