Home / Sport / Liga e Dytë, derbi shqiptar i takoi Rufesë

Liga e Dytë, derbi shqiptar i takoi Rufesë

Të shtunën kanë nisur garat e sezonit pranveror në Ligën e Dytë të futbollit të Maqedonisë, në të cilën në program ishin ndeshjet e xhiros së 16-të.

Derbi shqiptar u zhvillua në Vrapçisht të Gostivarit, ku skuadra vendase u përball me Rufenë e Miletinës. Në një ndeshje interesante, me shumë luftë në fushë, por pa ndonjë kualitet të dalluar, më shumë ndoshta nga tereni i papërshtatshëm për lojë, në fund fitores i’u gëzuan futbollistët e Rufesë, të cilët fituan me rezultat minimal 1:0. Që në fillim të takimit u pa qartë se tereni do të jetë pengesë e madhe për të dy skuadrat që të tregojnë potencialin e tyre, kështu që reziqet kryesore vinin nga ndërprerjet dhe harkimet para portave respektive. Fillimisht të dyja ekipet patën disa mundësi të tilla, që mbetën të parealizuara, ndërsa momenti vendimtar erdhi katër minuta para fundit të pjesës së parë, kur pas një harkimi në zonën vendase, mbrojtësi i Rufesë, Leonard Kallaba, godet topin në mënyrë të çuditshme, por të mjaftueshme për të befasuar portierin vendas, deri sa topi hyri në cepin e portës së Vrapçishtit, për epërsi 1:0 të miqve. Pjesa e dytë kaloi me tentime të vendasve për të barazuar, ndërsa miqtë në kundërsulme kërkonin rastin e tyre për të mbyllur takimin. Edhe pse të dyja ekipet kishin disa kanosje, në fund takimi Vrapçishti-Rufeja u mbyll me fitore minimale 1:0 për mysafirët.

E ndërkohë dy ekipet e kreut të Ligës së Dytë, Gostivari dhe Euromilku kanë nisur fuqishëm stinorin pranveror. Lideri i renditjes, Gostivari, ka shënuar fitore bindëse 5:0 në fushë të Tikveshit në Kavadarci. Loga shënoi në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Paunov, Jusufi, Beluli dhe Aksentiev fiksuan rezultatin 5:0 për kampionët e vjeshtës, që japin shenja se do të vazhdojnë dominimin e tyre në rrugën drejt Ligës së Parë. Paraqitje të mirë në start sjelle dhe Euromilku, që fiton 0:4 në transfertën me Maxhari Solidarnostin. Në ndeshjet tjera Skopje fitoi minimalisht 1:0 Lokomotivën, Pobeda Juniori mundi 2:1 Ohrin, Miravci barazoi 1:1 me Korzon, ndërsa Novaci fitoi 2:1 11 Oktomvrin.

Rezultatet e javës së 16-të:
Vrapçishti-Rufeja 0:1,
Tikveshi-Gostivari 0:5,
Maxhari-Euromilku 0:4,
Skopje-Lokomotiva 1:0,
Miravci-Korzo 1:1,
Pobeda J.-Ohri 2:1,
Novaci-11 Oktomvri 2:1,
Babi-Makedonija Gj.P. (të martën)

Tabela: Gostivari 33 pikë, Skopje 31, Rufeja 31, Euromilku 31, Makedonija Gj.P. (-1) 29, Miravci 28, Pobeda J. 28….

Rexhepi mundet nga ish-ekipi, Jakupi debuton me fitore

Dueli ndërmjet Vrapçishtit dhe Rufesë së Miletinës përveç karakterit të derbit shqiptar, kishte edhe në qendër të vëmendjes trajnerin e skuadrës vendase, Xhengis Rexhepin, i cili deri para dy javëve ishte në pankinën e Rufesë. Ai filloi karrierën si trajner te skuadra miletinase dhe shënoi rezultate impresionuese, deri sa këtë vit pretendonte të drejtojë ekipin drejt Ligës së Parë. Në fakt rezultatet e Rufesë në vjeshtë ishin pozitive, mirëpo disa ditë para fillimit të kampionatit për arsye personale Rexhepi dhe Rufeja u ndanë. Më vonë trajneri i ri kaloi te Vrapçishti, ndërsa fati deshti që ndeshjen e parë zyrtare ta ketë kundër ish-ekipit të tij. Pas 90-të minutave interesante, Rexhepi u mund nga ish-ekipi i tij, që duket se është stërvitur mirë në të kaluarën. Gjithsesi debutim të suksesshëm në pankinën e Rufesë kishte Mensur Jakupi, i cili zëvendësoi Rexhepin tek skuadra miletinase. Jakupi është adaptuar shpejtë me skuadrën e tij të re dhe me sukses kaloi 90-të minutat e para, nga të cilët doli me 3 pikë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *