Home / Lajme / Maqedoni / Niveli i Liqenit të Ohrit 20 centimetra mbi maksimalen

Niveli i Liqenit të Ohrit 20 centimetra mbi maksimalen

Ohër, 30 Mars – Reshjet e ditëve të fundit, shkrirja e borës dhe prurjet e shumta nga përroskat e ndryshme dhe lumenjtë, kanë rritur në masë të madhe nivelin e Liqenit të Ohrit, që kanë “detyruar” që të hapen më shumë porta të shkarkimit, që mund të shkaktojnë edhe përmbytje në zonat e Lezhës në Shqipëri.

Gjatë ditës së sotme, vërehet se në digën e portave të shkarkimit të Liqenit të Ohrit, prej nga ndahet Drini i Zi, janë të hapura më shumë se katër portat e shkarkimit të Liqenit në Drinin e Zi, që sipas vlerësimeve derdhen rreth 35-45 metra kub ujë për sec. në Drinin e Zi, që vazhdon rrugën në drejtim të liqeve akumulues të hidrocentraleve Glloboçica dhe Shpile në Maqedoni si dhe në liqet e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vau i Dejës në Shqipëri.

Të reshurat e periudhës se fundit, sidomos ditëve të fundit, kanë ndikuar dukshëm në rritjen e nivelit të Liqenit të Ohrit. Në këtë kohë, sidomos kur mbretëron periudha e zbaticave të ujit në përgjithësi, si dukuri natyrore-gjeografike, vërehet rritje enorme e nivelit të Liqenit të Ohrit.

Për momentin derdhet dhe “dërgohet” në drejtim të akumulimeve rreth 35-45 metra kub ujë për sekondë, që ndryshon situatën e përgjithshme jo vetëm të liqeve akumulues në Glloboçicë dhe Shpile të Dibrës, por edhe në liqet akumulues në Fierzë, Komanit dhe Vau i Dejës, që në masë të madhe mund të ndikojë në situatën e përgjithshme hidrologjike në Shqipëri, sidomos në ultësirën e Lezhës, ku paraqiten edhe përmbytje të shumta.

Nga Enti Hidrobiologjik në Ohër, kanë pohuar se duhet me kujdes maksimal të hapen ose mbyllen portat ose kjo të mos ndodhë pa konsultim me ekspertët hidrologjik, por punëtorët e HC “Glloboçica”, mbase me “vetënisiativë”, ose me urdhër të eprorëve të tyre, hapin dhe mbyllin portat “kuturu” ngjashëm me rastin e tanishëm që i kanë hapur katër portat e shkarkimit, që për momentin mund të “ndihmojnë” përmbytjet në Shqipëri, kur niveli në liqejt akumulues shkon drejt rritjes së pakontrolluar.

Dihet mirëfilli se niveli dhe kotat tolerante të lartësisë mbidetare dhe nivelit të ujit në Liqenin e Ohrit është 693.10 kuota minimale, ose pika më e ulët mbidetare dhe 693.75 pika më e lartë e naltësisë mbidetare, respektivisht nivelit të Liqenit të Ohrit. Kuotat mbi dhe nën këto shifra, janë situate alarmante dhe rrezikojnë të ndryshojnë tërësisht situatën hidrobiologjike dhe biodiversitetin në Liqenin e Ohrit.

Sipas matjeve të fundit, vlerësohet se niveli i Liqenit të Ohrit, është rritur ditëve të fundit për disa centimetra, ose thënë me fjalorin hidrologjik, në Liqenin e Ohrit, kohëve të fundit kanë hyrë më shumë se 200 milion metër kub ujë. Matjet e sotit, sipas limnigrafit në Strugë, shënojnë lartësi enorme dhe limnigrafi ka treguar se niveli i lartësisë mbidetare tani ka arritur në afro 693.95m, që është nivel për afro 20 cm mbi kuotat maksimale.

Ky nivel dhe sasia e shkarkimit të Liqenit të Ohrit, mund të shkaktojë edhe probleme në rrjedhën e lumit Dri, posikur edhe para dy-tre viteve, kur për shkak të mospastrimit të vegjetacionit në shtratin e Drinit, ishte përmbytur një pjesë e rrugës Strugë-Dibër, që kishte shkëputur disa fshatra nga Struga e Dibra dhe vetëm me ndërhyrjen e ekipeve të mekanizuara u mundësua normalizimi i gjendjes.

Sistemi rregullator për menaxhimin e ujërave të përbashkëta ndërkombëtare, mbështetet në Marrëveshjen bilaterale ndërmjet ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë që në vitin 1960, kur edhe janë përcaktuar kuotat minimale dhe maksimale të Liqenit të Ohrit.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *