Home / Sport / Reali-Barça, rast i ri për rivalët e përbetuar

Reali-Barça, rast i ri për rivalët e përbetuar

Futbollisti më i mirë në botë, argjentinasi Lionel Messi nuk është mësuar të pësojë humbje. Dy goditjet që i ka marrë brenda një jave kanë qenë tronditëse për të. Ai shpreson që të ndalë këtë seri të zezë të Barcelonës të shtunën (16:00), kur skuadra e tij do të përballet në “Santiago Bernabeu” me rivalin e përbetuar Real Madridin.

Barcelona të martën mbrëma pësoi në shtëpi nga Real Madridi me rezultatin 3:1, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Spanjës dhe në këtë mënyrë u eliminua nga kjo garë. Një javë më parë Barça kishte pësuar humbje në udhëtim nga Milani me rezultatin 2:0, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

“Vërtet nuk jemi mësuar me situatë të tillë. Prapë kemi shumë besim në skuadrën dhe jam i bindur se do t’i tejkalojmë këto humbje e të kthehemi në rrugën e duhur”, ka thënë Messi për mediumet spanjolle të premten.

Messi është në formë të lartë këtë stinor. Ai në La Liga ka shënuar 38 gola në 25 ndeshje, 14 më tepër se Cristiano Ronaldo i Real Madridit, që është i dyti. Mirëpo, në ndeshjen kundër Milanit dhe atë kundër Realit ai ishte shumë larg formës së tij më të mirë.

Përballja e së shtunës do të jetë e 224-a zyrtare mes dy skuadrave dhe e 166-ta kampionale.

Në përballjet kampionale më shumë fitore ka Reali – 69, karshi 64 fitoreve të Barçës. Edhe bilanci i përgjithshëm është në favor të madrilenëve. Reali ka 89 fitore, ndërsa Barça 87.

Përballja e së shtunës do të jetë ndoshta një prej “Clasicove” me rëndësinë më të vogël.

Në La Liga pas 25 xhirove Barcelona ka krijuar një epërsi të thellë. Po kryeson me 68 pikë, 12 më shumë se i dyti, Atletico Madrid, dhe 16 më shumë se Reali, në pozitën e tretë.

Mirëpo, Barça kërkon fitore për të rimarrë veten pas dy goditjeve të pësuara brenda një jave, derisa Reali është duke kërkuar një fitore për të pasur te lojtarët një optimizëm sa më të madh për ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve që luhet kundër Manchester Unitedit në “Old Trafford” javën e ardhshme. Ndeshja e parë në “Bernabeu” ishte mbyllur me rezultatin 1:1.

Barça në sfidën e së shtunës pritet të jetë pa organizatorin Xavi Hernandez, që ka një lëndim të gjurit. Në të vërtetë ai ishte paraqitur me këtë lëndim edhe në mesjavë dhe i ka përkeqësuar gjërat.

Mesfushori i Realit, Xabi Alonso ka përgëzuar trajnerin e tij Jose Mourinho, duke ia adresuar atij meritat për suksesin e së martës.

“Jose Mourinho është një lider i madh. Kur një grup përkrah një trajner dhe ka besim në idetë e tij, atëherë atij trajneri mund t’i themi lider. Për mua ai është një prej trajnerëve më të mirë në botë. Loja jonë nuk është tiki-taka. Ne bëjmë dalje të shpejta nga mbrojtja në sulm, me pasime të thella duke krijuar shumë raste. Futbolli ynë është pak më tepër sesa të qarkullosh topin për të qenë në gjendje të krijosh raste”, ka thënë Alonso.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *