Home / Sport / Reali, në çerekfinale me “ndihmë”

Reali, në çerekfinale me “ndihmë”

Real Madrid ka kthyer fatin e një sezoni që dukej i dështuar kur brenda një jave ka shkuar në finalen e Kupës së Mbretit duke eliminuar Barcelonën që dukej e pandalshme dhe më pas ka kaluar në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve duke eliminuar Mançester Junajtid me një sukses 2-1 në “Old Traford”.

Por për suksesin evropian, madrilenët duhet të falënderojnë pjesërisht edhe gjyqtarin turk Çuneit Çakir, i cili ndikoi në fatin e ndeshjes me kartonin e kuq të padrejtë që i dha Nani në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-0 për anglezët. “Djajtë e kuq” dominuan pjesën e parë dhe krijuan raste më të mira për të shënuar golin e avantazhit, ndonëse Ferguson çuditi të gjithë duke lënë Uejn Runin në pankinë. Nga ana tjetër, Kristiano Ronaldo nuk u duk në nivelin e tij më të mirë, ndoshta i prekur nga pritja shumë e ngrohtë që i bëri publiku i ish-skuadrës së tij me një duartrokitje të gjatë si të ishte ende një futbollist i skuadrës angleze.
Me fillimin e pjesës së dytë, Mançester Junajtid gjen edhe golin e avantazhit, pasi Serxho Ramos devijon në portën e vet një top në qendër të Uellbek. Duket se anglezët i shkojnë shumë afër kualifikimit, por aty hynë në skenë gjyqtari Çakir, i cili nuk ngurron të nxjerrë nga loja me karton të kuq mesfushorin Nani për një faull ndaj Arbeloas, një vendim shumë i ashpër duke parë se ndërhyrja e portugezit ishte e paqëllimshme.
Mançester Junajtid humb qetësinë dhe nga kjo përfiton Reali që kthen fatin e ndeshjes brenda pak minutave. Fillimisht është Modriç që shënon me një gjuajtje në hyrje të zonës, ndërsa më pas është pikërisht ai, Kristinao Ronaldo, që gjeti golin e dytë i cili praktikisht siguroi kualifikimin.
Tashmë Reali pret i qetë emrin e skuadrës që do të ketë përballë në çerekfinalet e turneut, duke qenë i ndërgjegjshëm që sapo ka larguar nga aktiviteti një nga skuadrat më të kompletuara, duke fituar atë që jo rastësisht u etiketua si finalja e parakohshme.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *