Home / Sport / “Remuntada”, Barça kalon Milanin

“Remuntada”, Barça kalon Milanin

Barcelona ka mbajtur premtimin që u kishte bërë tifozëve për një përmbysje historike, duke mundur 4-0 Milanin dhe duke kaluar në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Katalanasit kanë dominuar ndaj skuadrës italiane që ka menduar më shumë të mbrojë rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë, por është ndëshkuar në mënyrë të pamëshirshme për çdo gabim të vogël që ka bërë.

Pa filluar mirë ndeshja, që në minutën e 5-të është Mesi që ndez entuziazmin e vendasve me golin e tij pas kombinimit me Iniestan. Milani kthehet në mbrojtje dhe thuajse nuk arrin të dalë nga zona e vet falë një presingu të jashtëzakonshëm të katalanasve. Italianët humbin mundësinë e artë për të siguruar kualifikimin në minutën e 39-të dhe ndëshkohen përsëri nga Mesi. Niang përfiton nga një gabim i Maskerano dhe shfaqet para Valdes, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla. Topi kalon në anën tjetër të fushës, kur përsëri një kombinim Iniesta-Mesi sjell golin e radhës të argjentinasit, i 58-ti në Ligën e Kampioneve, duke u bërë golashënuesi më i mirë i këtij aktiviteti.
Tani kualifikimi është plotësisht i hapur për të dy skuadrat, por Barcelona ka avantazhin e euforisë dhe përfiton më së miri nga gabimi i radhës i prapavijës kuqezi në minutën e 9-të të pjesës së dytë kur Vija dërgon topin në rrjetë për të çuar në tre numrin e golave.
Reagimi i kuqezinjve është shumë i dobët dhe katalanasit arrijnë të administrojnë këtë rezultat falë lojës së tyre tipike me mbajtjen e gjatë të topit, ndërsa mbyllin gjithçka në minutat shtesë, kur Zhordi Alba firmos golin e 4-0 që çon Barcelonën përfundimisht në çerekfinale.
Katalanasit duket se kanë rifituar gjendjen e duhur shpirtërore për të mbyllur përsëri mirë sezonin, ndërsa Milani largohet kokulur nga “Kamp Nou”, duke dhënë thuajse asgjë nga ajo që kishte shfaqur në ndeshjen e parë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *