Home / Sport / Shfaqet një klauzolë anti-Real në kontratën e Falkaos

Shfaqet një klauzolë anti-Real në kontratën e Falkaos

Real Madrid do të jetë i detyruar të paguajë 15 milion euro më shumë se çdo klub tjetër nëse dëshiron të sigurojë shërbimet e Radamel Falkaos në sezonin e ardhshëm. Gazeta spanjolle “AS” ka publikuar këtë detaj në kontratën e sulmuesit kolumbian të Atletiko Madrid, të vendosur nga drejtuesit e klubit për të penguar një transferim të mundshëm drejt rivalëve të qytetit.

Falkao vendosi të rinovonte kontratën në fillim të këtij sezoni për të përmirësuar kushtet e tij financiare dhe për të ndryshuar detajet e klauzolës së largimit. Në shenjë falënderimi ndaj besimit të Atletiko Madrid që e ndihmoi të shpërthente në arenën ndërkombëtare, ai pranoi që klauzola e largimit të ndryshohej nga 45 milion euro, në 60 milion euro.
Por sipas informacioneve që gazeta spanjolle ka marrë nga një klub anglez i interesuar për futbollistin, në kontratën e re është vendosur edhe një klauzolë e veçantë, me miratimin e Falkaos, ku shifra e largimit të tij rritet në 75 milion euro nëse klubi që kërkon ta blejë është Real Madrid. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Atletikos kanë menduar se do të jenë “të larë” me tifozerinë e tyre nëse vendosin të kalojnë sulmuesin në radhët e rivalëve historikë të qytetit të Madridit.
Megjithatë, e njëjta gazetë ka konfirmuar nga burime pranë lojtarit se ai nuk ka ndër mend të zgjedhë Real Madrid si destinacionin e tij të ardhshëm të karrierës, por në verë do të bëhet gati për t’u transferuar në kampionatin anglez apo atë francez. Çelsi është ekipi i vetëm që ka bërë një ofertë zyrtare prej 55 milion eurosh për të, me Atletikon që e ka refuzuar duke kërkuar 60 milion, shifër të cilën PSZH është gati ta paguajë nëse futbollisti vendos që të transferohet në Paris. Shumë i interesuar për lojtarin duket edhe Mançester Siti, që ëndërron të krijojë një dyshe sulmi me kolumbianin dhe një tjetër ish-lojtar të Atletiko Madrid, Serxho Aguero.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *