Home / Sport / Tifozët pushtojnë Parisin për biletat me Barçën

Tifozët pushtojnë Parisin për biletat me Barçën

Stadiumi “Parc Des Princes” i qytetit të Parisit ka gdhirë sot nën një shtetrrethim të mirëfilltë, pasi me mijëra tifozë kanë qenë që në orët e para të mëngjesit në radhë para tij për të siguruar biletat për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampioneve të PSZH kundër Barcelonës.

Grumbullimi i tifozëve ka filluar që në orët e para të mëngjesit, ndërsa kur zyrat e klubit janë hapur në orën 10:15, radha e atyre që kërkonin të blinin bileta sillej rreth e rrotull stadiumit, me të tjerë që pritnin më kot në zonën pranë impiantit sportiv se mos u krijohej mundësia që të blinin ndonjë prej këtyre biletave në “të zezë” me çmime shumë herë më të larta.
Klubi filloi të shiste biletat e ndeshjes në internet të premten, por duke parë kërkesën e jashtëzakonshme që lindi menjëherë pasi u mësua se kundërshtari i radhës ishte Barcelona, u vendos që të ndërpritej shitja online.
Fillimisht u nxorën në shitje rreth 1 mijë bileta gjatë të shtunës, por brenda pak minutash u desh ndërhyrja e forcave të rendit për të qetësuar situatën pasi para klubit shpërthyen zënka masive mes atyre që dëshironin të blinin këto bileta.
Ndaj sot u nxorën në shitje një pjesë tjetër e biletave, që kushtojnë deri në 350 euro, në varësi të vendeve në stadium.
Paris Sent Zhërmen mungon në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve që nga viti 1995, atëherë kur si rival kishte pikërisht Barcelonën të cilën e eliminoi duke kaluar në gjysmëfinalet e turneut, për t’u mundur më pas nga Juventus, që u shpall edhe fitues i aktivitetit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *