Home / Lajme / Rajon / Ashton fillon takimet me kryeministrat Thaçi e Daçiq

Ashton fillon takimet me kryeministrat Thaçi e Daçiq

17 prill-Shefja e diplomacisë evropiane Ketrin Eshton i ka filluar takimet bilaterale me kryeminsitrat Thaçi e Daçiq. Ajo është takuar fillimisht me kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa në këto qaste po takon kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq. Takimet bilaterale i paraprijnë një takimi të përbashkët, i cili pritet të mbahet më vonë, në përpjekje të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi do të takohet sot në Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi. Si zakonisht takimi është ftuar nga ndërmjetësja në bisedime shefja e diplomacisë së BE-së Ketrin Eshton.

Zëdhënësja e saj, Maja Kociajançiç, ka bërë të ditur se Eshton ka takuar sot fillimisht kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa, në këto qaste ajo po zhvillon një takim me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq.

Burime nga Brukseli thonë se baronesha Eshton do të bëjë trysni mbi të dy palët që të nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar. Ajo ka ftuar takimin e sotëm pas sinjaleve pozitive që ka marrë nga palët, ndërsa ka thënë se kërkon nga ata që të shkojnë me një frymë konstruktive, të gatshëm për të eksploruar opsione të ndryshme dhe për t’u pajtuar me një kompromis të dyanshëm.

Kryeministri Hashim Thaçi, pak para takimit të sotëm me përfaqësuesen e lartë të BE-së, është shprehur optimist se marrëveshja do të arrihet. Ai tha se kjo do të ishte në interes të të dyja vendeve dhe të stabilitetit në rajon. Sidoqoftë takimi mes dy kryeministrave pritet të jetë i gjatë pasi qëndrimet e palëve në dialog akoma mbeten shumë larg njëra –tjetrës.

Roli i ushtrisë së Kosovës në veri të vendit, mënyra e funksionimit të Policisë së Kosovës dhe lloji i Gjykatës së Lartë do të jenë disa nga temat e nxehta për të cilat duhet të diskutojnë sot të dy kryeministrat.

Por, ndryshe nga Thaçi, homologu i tij serb Ivica Daçiq u ka thëne mediave të vendit të tij se në takimin e sotëm në Bruksel nuk do të thotë se do të merret ndonjë vendim. Madje, sipas tij, mosarritja e marrëveshjes së propozuar nga BE nuk do të nënkuptonte edhe fundin e botës për Serbinë.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka thënë se pavarësisht presionit të “heshtur” nga Brukseli për arritjen e marrëveshjes, Beogradi nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i tij që Prishtina të mos shtrijë autoritetin në veri të Kosovës.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion mbi Prishtinën zyrtare me qëllim të zbutjes së qëndrimeve të saj.

Nga rezultatet e këtij takimi varet edhe Raporti Progresit i të dyja vendeve për sa i përket rrugës së integrimit evropian. Raporti i cili është dashur të paraqitet dje para Komisionit Evropian është shtyrë, derisa palëve në bisedime u është dhënë edhe një mundësi tjetër.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *