Home / Sport / Bajern Mynih turpëron Barcelonën

Bajern Mynih turpëron Barcelonën

Bajern Mynih ka treguar se e meriton që ajo të quhet tani skuadra më e fortë në Evropë, pasi ka mundur lehtësisht me rezultatin 4-0 Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Bavarezët janë hakmarrë për humbjen 4-0 të vitit 2009, duke treguar se sa rrugë kanë bërë që atëherë dhe se jo rastësisht po i drejtohen finales së 3-të në katër vitet e fundit në këtë turne.

Me Mesin në fushë, Barcelona praktikisht ka luajtur me 10 lojtarë, ndërsa ka qenë inekzistente në sulm. Ndërsa nga ana tjetër, në pjesën e parë Bajern i ka lënë mbajtjen e topit katalanasve, por ka shfrytëzuar forcën fizike për të krijuar rreziqe në çdo goditje standarde. Jo rastësisht, goli i avantazhit i bavarezëve në minutën e 24-t vjen nga zhvillimet e një goditje nga këndi, ku topi kalon nga Dante te Myler, që nuk e ka të vështirë të dërgojë sferën në rrjetë. Pritet zgjimi i Barçës, por ai nuk vjen kurrë, as pas pushimit të ndeshjes kur pritej që Vilanova të ndryshonte diçka në lojën e skuadrës.
Mjaftojnë vetëm 4 minuta të pejsës së dytë që Bajerni të çojë rezultatin në 2-0, këtë radhë falë Gomez që realizon qetësisht pas zhvillimit të një tjetër goditje standarde, edhe pse sulmuesi gjerman duket në pozicion jashtë loje në momentin kur merr pasimin nga Myler.
Goditja është shumë e rëndë për Barcelonën që nuk ka forcë të reagojë, duke i lëshuar edhe kontrollin e topit kundërshtarëve që shfaqen me shumë lehtësi para Valdes.
Ndaj nuk është çudi kur në minutën e 73-të vjen edhe goli i tretë, i shënuar nga Arjen Roben, ndërsa në të 82-tën edhe i katërti, përsëri nga Myler, ndërsa mbrojtja e Barcelonës është krejtësisht e çoroditur dhe nuk di se cilin prej bavarezëve të kontrollojë më parë.
Ndaj vërshëllima përfundimtare dhe rezultati 4-0 është një lehtësim për katalanasit që janë larguar me të drejtë kokulur nga “Allianz Arena”, duke mos treguar asgjë nga repertori i tyre dhe duke konfirmuar se ndoshta cikli i suksesshëm po shkon drejt fundit. Kuptohet, ka edhe një ndeshje kthimi pas një javë ne Barcelonë, por nga pamja e fytyrës së vetë lojtarëve katalanas në fundin e ndeshjes, dukej qartë se asnjë prej tyre nuk shpreson që të ndodhë ndonjë mrekulli përballë ekipit të jashtëzakonshëm që ka ndërtuar Jup Heinkes. Ndaj lind përsëri pyetja: Po Guardiola, përse nevojitej?

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *