Home / Sport / Barazim mes Romës dhe Lacios

Barazim mes Romës dhe Lacios

Roma dhe Lacio kanë ndarë nga një pikë të merituar në barazimin 1-1 në ndeshjen që mbylli javën e 31-të të Serisë A. Në një përballje mjaft të luftuar, nuk kanë munguar emocionet e drithërimat, në një spektakël të veçantë siç është zakonisht derbi i Romës.

Kanë qenë lacialët që kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Hernanes, i cili ka mposhtur Stekelenburg me një gjuajtje të pakapshme nga distanca. Më pas, Lacio ka arritur të kontrollojë ofensivën kundërshtare, falë edhe një paraqitje shumë të mirë në fazën mbrojtëse ku ka spikatur Lorik Cana, i kthyer tashmë në një mbrojtës të mirëfilltë.
Lacio kishte mundësinë të mbyllte ndeshjen në fillimin e pjesës së dytë, pas një 11-metërshi të akorduar pasi Markinjos preku topin me dorë. Por Hernanes gabon në mënyrë të pabesueshme nga pika e bardhë, duke i dhënë mundësinë Romës të marrë frymë lirisht. Për më tepër, braziliani dëmton rëndë ekipin e tij pak minuta më vonë duke shkaktuar 11-metërsh ndaj Pjaniç, ndërsa Toti i tregon se si gjuhet penalltia, duke realizuar para Marketit për të vënë barazpeshën në shifra.
Emocionet e derbit vazhdojnë me një karton të kuq të diskutueshëm ndaj Biavas dhe me Lamelën që humb mundësinë për t’u bërë heroi i Romës, duke gabuar në mënyrë të pabesueshme pak metra larg portës. Kështu takimi mbyllet 1-1, duke lënë Lacion 7 pikë larg Milanit të vendit të tretë dhe Romën që ndjek “kushërinjtë” me 3 pikë diferencë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *