Home / Sport / Barça dhe Reali vijojnë fitoret edhe me “Ekipin B”

Barça dhe Reali vijojnë fitoret edhe me “Ekipin B”

Barcelona dhe Real Madrid kanë vijuar serinë e tyre të fitoreve në këto javë të fundit të kampionatit, duke mbajtur të pandryshueshme diferencën prej 13 pikësh që i ndan në renditjen e La Liga.

Këtë radhë, të dy ekipet kanë vuajtur disi për të marrë fitoren, edhe për faktin se si Vilanova, ashtu edhe Murinjo, kishin hedhur në fushë “Ekipin B”, me shumë titullarë të lënë pushim duke menduar për ndeshjet e mesjavës në Ligën e Kampioneve.
Barcelona ka marrë një fitore të vuajtur 1-0 përballë Levantes në “Kamp Nou”. Katalanasit janë paraqitur me Abidal si titullar në rolin e qendërmbrojtësit, ndërsa jashtë formacioni ishin më shumë se gjysma e titullarëve të zakonshëm. Si rrjedhojë, katalanasit kanë vuajtur shumë për të krijuar, ndërsa edhe në rastin më të pastër që kishin në fillimin e ndeshjes, Vija humbi një gjuajtje nga pika e bardhë e penalltisë. Për të qetësuar disi Vilanovën dhe për të afruar katalanasit vetëm 6 pikë larg titullit kampion ka menduar Fabregas me golin e tij në minutën e 84-t të sfidës.
Pak orë më parë, Reali kishte mundur 3-1 ekipin e Betis. Murinjo hodhi në fushë Kasemiro, Albiol, Naço e Rikardo Karvajo, duke lënë pushim një pjesë të mirë të titullarëve. Por Reali arriti të mbyllte pjesën e parë në avantazh falë golit të Ozil, ndërsa në fillimin e të dytës ishte Benzema që dyfishoi shifrat. Një penallti e Molina në minutën e 73-të shkurtoi shifrat dhe bëri më emocionuese ndeshjen. Në minutat e fundit, pasi Betis humbi dy raste të mira për të barazuar rezultatin, ishte Ozil që i dha qetësinë skuadrës së tij me golin e tretë, të dytin personal në këtë sfidë.
Lajmi negativ për Murinjon është dëmtimi i Marcelo dhe Modriç, pasi të dy lojtarët u larguan nga fusha e lojës për shkak të problemeve fizike dhe me sa duket nuk do të jenë të gatshëm për sfidën e Ligës së Kampioneve ndaj Borusia Dortmund.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *