Home / Sport / Borusia i jep leksion futbolli Realit

Borusia i jep leksion futbolli Realit

Liga e Kampioneve në këtë edicion po shkon drejt një finaleje tërësisht gjermane. Pas suksesit 4-0 të Bajern Mynih përballë Barcelonës të martën në darkë, suksesi i ekipeve gjermane ndaj atyre spanjolle është përsëritur me triumfin 4-1 të Borusia Dortmund ndaj Real Madrid. Në një ndeshje që është luajtur thuajse me një portë, ekipi i drejtuar nga Jurgen Klop ka vënë një këmbë në finalen e madhe të majit në “Uembli”.

Që në minutat e para të ndeshjes, Borusia është shfaqur agresive, duke luftuar për çdo top dhe duke zënë të papërgatitur Realin, i cili nuk e priste një nisje të tillë nga vendasit. Fillimi agresiv i vendasve kurorëzohet me sukses që në minutën e 8-të, me anë të Robert Levandovskit, i aftë që të devijojë qetësisht në rrjetë një harkim perfekt të Gëtze. Reali provon të reagojë disi pas disavantazhit, por Borusia arrin të kontrollojë shumë lehtë çdo iniciativë të spanjollëve, duke mos lënë hapësira dhe duke kundërsulmuar rrezikshëm. Por kur pjesës së parë po i vinte fundi, një pasim i gabuar mbrapa i Humels kthehet në një asist perfekt për Higuain, i cili pason për Kristinao Ronaldon që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për të barazuar rezultatin.
Dëshpërimi i vendasve për të këtë barazim të pamerituar të kundërshtarëve zgjat vetëm 5 minuta në pjesën e dytë, aq sa i nevojitet “magjistarit” Levandoski të tregojë aftësitë e tij me një numër të jashtëzakonshëm në zonë: rrotullim në limitet e pozicionit jashtë loje dhe prekje e topit aq sa për ta dërguar në rrjetë. Pa kaluar as 5 minuta të tjera, polaku tregon një tjetër numër magjik, duke shmangur Pepe në zonë dhe duke dërguar përsëri topin pas krahëve të Diego Lopez me një gjuajtje të pandalshme. Rezultati shkon në 3-1 por Borusia nuk duket e ngopur, përkundrazi sulmon në çdo top lojtarët e Realit dhe vë në vështirësi të dukshme prapavijën e tyre. Rezultat i kësaj loje është edhe 11 metërshi i fituar nga Rois, i transformuar saktësisht përsëri nga Levandovsaki, që shënon në këtë mënyrë katër gola në këtë ndeshje, duke çuar edhe rezultatin në 4-1.
Murinjo nuk ka çfarë të humbasë më dhe hedh në fushë Benzema e Di Maria në vend të Higuain e Modriç, ndërsa pak minuta më vonë e ka radhën edhe Kaka të hyjë në fushën e lojës në vend të Ksabi Alonso. Por madrilenët janë krejtësisht të pafuqishëm përballë vendasve, të cilët të udhëhequr edhe nga entuziazmi nuk e kanë aspak të vështirë të kontrollojnë çdo tentativë të Ronaldo & Co.
Vërshëllima përfundimtare ka bërë të shpërthejë entuziazmi në “Vestfalenshtadion”, ku Borusia Dortmund hodhi një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së madhe, atje ku me shumë mundësi do të ndeshen me Bajernin e “urryer”. Ndërsa spanjollët janë larguar kokulur, duke parë se si po i ikën nga duart një tjetër mundësi për të fituar të shumëpriturën Ligë Kampionesh numër 10.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *