Home / Sport / EKIPET SHQIPTARE SHPARTALLUAN KUNDËRSHTARËT E TYRE (VIDEO)

EKIPET SHQIPTARE SHPARTALLUAN KUNDËRSHTARËT E TYRE (VIDEO)

Me ndeshjet e xhiros së 23-të, sot ka filluar rrethi i tretë i garave në Ligën e Parë të futbollit në vend. Fitore e re e Renovës që mund 3:1 Teteksin në derbin lokal. Izair Emini ishte dirigjient i vërtetë i lojës në mesfushë dhe shënoi për epërsi nga pika e bardhë, ndërsa shkëlqeu në pjesën e dytë Gafuri me dy super gola, që xhepçishtasve u japin fitoren e rradhës në kampionat. Edhe Shkëndija ishte bindëse në Tetovë, pasi mundi 3:0 Sileksin.

Skuadra e Renovës vazhdon me paraqitjet e saj të shkëlqyeshme në gjysmëstinorin pranveror, pasi të mërkurën mundi Teteksin 3:1 në kuadër të xhiros së 23-të në Ligën e Parë të futbollit në vend. Rivali i qytetit ishte skuadra e katërt që hynë në ‘meny’-në e skuadrave të mundura nga Renova këtë pranverë, ndërsa nëse kishin luajtur kështu edhe në vjeshtë, xhepçishtasit tani ndoshta do të ishin bindshëm në pozitën e parë. Takimi me Teteksin nisi qetë dhe të dyja ekipet me respekt për kundërshtarin kërkonin të vijnë në mundësi për të shënuar. Për një nuansë Renova ishte më aktive dhe në dy raste mundej të rrezikojë, mirëpo së pari Nuhiu e më vonë edhe Gafuri u vonuan në reagim dhe humbën mundësi të mira shënimi. Në vazhdim loja u qetësua dhe nuk kishte shumë raste shënimi, ndërsa ndryshimi erdhi në minutën e 38-të, kur Renova fitoi penalti. Emini harkoi nga gjuajtja e lirë në zonë, Simovski u tërhoq me duar nga mbrojtësi i Teteksit, ndërsa arbitri Kostençev me të drejtë tregoi penalti për vendasit. I sigurtë nga pika e bardhë ishte Izair Emini, i cili Renovës i dha epërsi 1:0. Në fillim të pjesës së dytë vendasit u hodhën në kërkim të golit të dytë, për të zgjidhur fatin e takimit, mirëpo pas një gabimi të repartit të mbrojtjes në minutën e 49-të, Teteksi arrin të barazojë me anë të Petkovskit. Të ngjallur nga goli i barazimit, futbollistët e Teteksit tentuan të shfrytëzojnë rënien e kundërshtarit dhe në disa raste seriozisht u kanosën për të përmbysur rezultatin. Bozhinovski për pak sa nuk befasoi Zendelin me goditje nga distanca, ndërsa në vazhdim portieri i Renovës me disa pritje vendimtare mbajti ekipin e tij në lojë. Dhe pasi Renova mbijetoi sulmet e Teteksit, ngadalë u hodh në kërkim të golit të fitores dhe në këtë drejtim patën sukses para se gjithash falë lojës fenomenale të Argjent Gafurit. Ishte minuta e 68-të kur Gafuri shënoi gol spektakular nga distanca, duke dërguar topin në këndin e majtë të portës së Mançevskit dhe për një moment përkujtoi se përse nofka e tij është ‘Messi’. Kjo nuk ishte e tëra nga Gafuri, pasi në minutën e 77-të sjell një tjetër mjeshtëri kur në slalom kalon mbrojtjen kundërshtare, para se të dërgojë topin në rrjetën e Teteksit, për fiksim të rezultatit final, Renova 3, Teteksi 1. “Jam i kënaqur për dy golat e shënuar, mirëpo më shumë më gëzon fitorja dhe seria pozitive e ekipit. Jemi rrikthyer përfundimisht në një ekip që din se çka dëshiron dhe kjo na bën të jemi optimist për të ardhmen. Renova mundet edhe më mirë dhe shpresoj që këtë ta dëshmojmë në ndeshjet e rradhës”, deklaroi pas ndeshjes, heroi i fitores kundër Teteksit, Argjend Gafuri. Për Renovën kjo ishte fitorja e katërt në pesë ndeshje të zhvilluara në pranverë, kur e vetmja ndeshje që nuk fituan, ishte barazimi pa gola në fushë të Bregallnicës. Nga një ekip që luftonte për shmangje të balotazhit, Renova është kthyer në pretendent për kreun e tabelës dhe nëse skuadra vazhdon me këtë ecuri, kanoset seriozisht për të zënë një prej pozitave që mundëson dalje në arenën ndërkombëtare. Realisht, me paraqitjet në teren dhe me rezultate e arritura Renova meriton një gjë të tillë. Ndërkohë Teteksi duket se me këtë disfatë përfundimisht çon në minimum gjasat për t’i shpëtuar më së keqes. Vërtet ka në lojë edhe 30-të pikë në 11-të xhirot e ardhshme, mirëpo me këtë ecuri, me shumë gjasa Teteksi vitin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Dytë.

Edhe Shkëndija ishte bindëse në Tetovë, pasi mundi 3:0 Sileksin. Muzafer Ejupi shënoi për epërsi në minutën e 30-të, ndërsa Demiri 3 minuta më vonë realizoi për 2:0. Rezultatin përfundimtar e vendosi Ardit Shaqiri në fillim të pjesës së dytë.

Në ndeshjet tjera, fitore të rëndësishme si mysafire mori Drita, që mundi 2:1 Napredokun në Kërçovë. Horizonti fitoi 2:1 Bregallnicën, Metalurgu 1:0 mundi Pelisterin, ndërsa nga ora 19:00 luhet përballja ndërmjet Vardarit dhe Rabotniçkit.

Rezultatet:
Renova 3:1 Teteksi
Shkëndija 3:0 Sileksi
Napredoku 1:2 Drita
Horizont T. 2:1 Bregallnica
Metalurgu 1:0 Pelisteri

EKIPET SHQIPTARE SHPARTALLUAN KUNDËRSHTARËT E TYRE ( VIDEO )

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *