Home / Lajme / Rajon / Në Bruksel raund i ri i dialogut Prishtinë – Beograd

Në Bruksel raund i ri i dialogut Prishtinë – Beograd

17 prill-Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shfaqi shpresën se takimi i sotëm do të jetë takim i marrëveshjes. Para se të nisej për në Bruksel ai shfaqi shpresën se raundi i nëntë do të jetë përfundimtar dhe do të mundësojë fillimin e një epoke të re të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, takohen sot në Bruksel në raundin e nëntë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Takimi mbahet me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton. Në një njoftim për opinion ajo thotë se u ka kërkuar kryeministrave që të shkojnë në takim me “frymë konstruktive dhe me gatishmëri që të shqyrtojnë opinionet e ndryshme dhe të merren vesh për një kompromis”.

Takimi shihet si mundësia e fundit që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje para se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton t’u raportojë ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian më 22 prill, në Luksemburg, për rezultatet e bisedimeve.

Nga këto rezultate varet përparimi më i shpejtë i të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.

Kjo mundësi u vu në pikëpyetje pasi që Serbia në fillim të muajit prill, refuzoi një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, meqë nuk arriti të sigurojë me shumë autonomi për komunat veriore, përkatësisht fuqi ekzekutive në fushat e policisë drejtësisë dhe planifikimit hapësinor.

Prishtina nuk pajtohet me kërkesa të tilla që ajo mendon se mund të çojnë një ndarjen e brendshme të vendit. Ky qëndrim u ritheksua edhe në prag të takimit të sotëm dhe delegacioni i Kosovës shkoi në Bruksel me gatishmërinë për themelimin e një asociacioni të komunave me shumice serbe, por nuk do të pranojë kërkesat e Serbisë që ai të ketë pushtet ekzekutiv.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se pret një marrëveshje në bisedimet e sotme dhe sipas saj dialogu është e vetmja mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërshtetërore.

“Marrëveshja është çështje e pashmangshme dhe është e nevojshme që të arrihet, sepse është e vetmja mënyrë e cila do të çojë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”, tha presidentja Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shfaqi shpresën se takimi i sotëm do të jetë takim i marrëveshjes. Para se të nisej për në Bruksel ai shfaqi shpresën se raundi i nëntë do të jetë përfundimtar dhe do të mundësojë fillimin e një epoke të re të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Autoritetet serbe ndërkaq thanë se duan një marrëveshje, por e mërkura nuk është fundi i botës edhe nëse ajo nuk arrihet. Presidenti serb Tomislav Nikolic tha se ka deklaruar se ekziston kufiri të cilin Serbia nuk guxon ta kalojë, e kjo është shtrirja e plotë e institucioneve të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës.

Sidoqoftë diplomatët perëndimorë shpresojnë që dita e sotme mund të sigurojë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që ishte është synimi kryesor i bisedimeve të filluara vitin e kaluar ndërmjet të dy kryeministrave.

Nëse palët pajtohen, atëherë Serbia mund të sigurojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të marrëveshjes së stabilizim asocimit.

Në pritje të rezultateve të bisedimeve edhe Komisioni Evropian vendosi të martën të shtyjë raportin mbi përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle shprehu besimin se bisedimet do të çojnë në një marrëveshje dhe tash është koha që Serbia dhe Kosova të lënë prapa të kaluarën. Ai tha në Strasburg se çdo lëvizje pozitive në bisedime do të pasqyrohet në raportin e Komisionit Evropian i cili ndihmon vendet anëtare të Bashkimit Evropian që të vendosin nëse Kosova dhe Serbia do të lejohen të hedhin hapat tjerë drejt integrimeve.

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *