Home / Lajme / Rajon / Prishtina dhe Beogradi përsëri pa një marrëveshje (VIDEO)

Prishtina dhe Beogradi përsëri pa një marrëveshje (VIDEO)

03 Prill – Prishtina dhe Beogradi kanë përfunduar pa marrëveshje edhe rrethin e tetë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Bisedimet kanë zgjatur për më shumë se 12 orë dhe janë karakterizuar me disa ndërprerje dhe ngritje zëri. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, pas përfundimit të takimit ka thënë se “kjo është hera e fundit që takohemi formalisht”.

“Një numër propozimesh janë hedhur në tryezë. Hendeku mes palëve është shumë i ngushtë, por i thellë. Ato do të shkojnë për këshillime në kryeqytetet e tyre dhe do më njoftojnë për vendimet gjatë disa ditëve të ardhshme”, tha Ketrin Eshton – shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Pengesa kryesore që palët të arrijnë marrëveshje, mësohet të kenë qenë kompetencat që do ti kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kundërshtoi që asociacioni, i paraparë për vënien e normalitetit në veri, të ketë përgjegjësi ekzekutive. Thaçi tha se Kosova ka qenë e gatshme për marrëveshje, por ka qenë Serbia ajo e cila ka hezituar.

“Ritheksoj se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë mandat ekzekutiv, legjislativ dhe të pushtetit të drejtë. Gjithçka do të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane. Prishtina është e gatshme për marrëveshje, Serbia heziton. Shpresojmë në reflektimin e thellë të tyre në ditët e ardhshme, fundja as Serbia nuk ka atë autoritet të mbajë gjendjen e tensionuar, mbes me shpresë për arritjen e marrëveshjes” , deklaroi Hashim Thaçi – kryeministër i Kosovës.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë pas takimit se vazhdon të ketë dallime në qëndrime, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e asociacionit të komunave serbe.

“Me gjithë këto bisedime të gjata që kemi pasur disa herë, aktualisht nuk kemi marrëveshje. Kemi edhe ca kohë për të ardhur deri te zgjidhja… Disa qëndrime janë ende larg, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e ‘bashkësisë’ së ardhshme të komunave serbe, për gjyqësinë dhe policinë, por, megjithatë, ka pasur mjaft përparim në bisedime”, tha Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë.

Procesi i së martës nuk ka qenë fare i lehtë, kanë thënë të dy kryeministrat. Ai është shoqëruar edhe me ngritje tonesh rreth çështjeve të caktuara, çfarë ka bërë që baronesha Ashton të ndërpresë takimin trepalësh, të konsultohet me delegacionet veç e veç dhe të rikthehet sërish në takim të përbashkët me to. Për herë të parë në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi, të martën ka qenë i pranishëm zëvendëskryeministri i parë serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka qenë takim i lehtë. Ka pasur disa që kanë ardhur për herë të parë dhe nuk kanë qenë të përgatitur emocionalisht për t’u ballafaquar me rrethanat dhe realitetin e ri të Kosovës sovrane dhe të pavarur dhe proklamimit të blluzhave të Sheshelit”, u shpreh Hashim Thaçi – kryeministër i Kosovës.

Zëdhënësja e Ketrin Eshton Maja Kociançiq, ka thënë se propozimet janë në tavolinë dhe kur palët të jenë gati, do të kthehen në Bruksel për të vazhduar bisedimet.

“Elemente konkrete, propozime konkrete janë në tavolinë dhe dyja palët u kthyen në vendet e tyre që të konsultohen dhe do të jenë në kont me zonjën Eshton në ditët në vijim dhe do ta njoftojnë atë për vendimet e marra”, tha Maja Kociançiq, zëdhënëse e Ketrin Eshton-it.

Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq kanë lënë të hapur mundësinë që të kthehen në Bruksel javën e ardhshme për të vazhduar dialogun aty ku ngeci mbrëmë. Rezultatet nga ky proces janë bazë esenciale Kosovën dhe Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian. Serbia aktualisht “lufton” për datën e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova për atë të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

NUK KA MARRËVESHJE MIDIS PRISHTINËS DHE BEOGRADIT ( VIDEO )

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *