Home / Sport / Rabotnicki ndal serinë e Renovës

Rabotnicki ndal serinë e Renovës

Pas gjashtë xhirove pranverore të zhvilluara në Ligën e Parë të futbollit në vend, nuk ka mbetur skuadër që s’ka shijuar disfatën. Ecuria e Renovës prej 4 fitoreve dhe 1 barazimi në pesë xhirot e para ka marë fund të shtunën, kur Rabotnicki ka mundur 2:0 të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani.

Ka marë fund seria e paraqitjeve fantastike të Renovës në sezonin pranveror, para se gjithash në aspekt të rezultateve kur xhepcishtasit në në pesë takimet e para shënuan 4 fitore dhe një barazim. Rabotnicki është ekipi që ndali hovin e ‘gjipspunuesve’, duke arritur që të shënojë fitore me rezultat 2:0, në ndeshjen e parë të xhiros së 25-të të zhvilluar të shtunën në Tetovë. Për dallim nga takimi i zhvilluar një javë më parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, kur Renova fitoi 3:1 të njëjtin kundërshtar, kësaj herë ‘romantikët’ u shfaqën më të entuziazmuar, ndoshta nga fitorja e madhe në derbin me Vardarin. Që në fillim të takimit u pa qartë se miqtë do të jenë skuadra që do të diktojë tempon e lojës, pasi që futbollistët e Rabotnickit ushtronin presion të vazhdueshëm dhe ishin të vendosur në pjesën që i takon Renovës. Megjithatë pjesa e parë nuk solli ndryshim në rezultat, pasi munguan rastet e pastërta para portave respektive. Fillimi i pjesës së dytë solli ndryshim, kur pas një gabimi të Memedit në zonë, topi arrin te Bazhe Iliovski, i cili me goditje të fuqishme shënon për epërsi 1:0 të mysafirëve. Renova tentoi të rrikthehet dhe kishte disa mundësi të mira, para se gjithash me anë të Ersen Sali-t, mirëpo sulmuesi i vendasve humbi rast të pastërt para portës kundërshtare. Në vazhdim vendasit nuk arrinin të sjellin ndonjë mundësi për të ndryshuar rrjedhën e rezultatit, ndërsa se si bëhet kjo treguan miqtë kur në minutën e 87-të, përsëri pas gabimit të mbrojtësve të Renovës, Ristov dhe Stepanovski, Bazhe Iliovski shënon golin e dytë dhe fikson rezultatin përfundimtar, Renova 0, Rabotnicki 2. “T’ju them të drejtën kam pritur që të kemi rënie në lojë, pas gjithë atyre ndeshjeve pozitive. Por në realitet jo deri në këtë shkallë, për tu mundur në teren vendas, nga një skuadër të para një jave e fituam pa problem. Një pjesë e arsyeve qëndron edhe në disa mungesa të rëndësishme të futbollistëve të lënduar, të cilët u desh t’i inkuadroj ende të pa rekuperuar mirë. Por dua të pranoj edhe atë se Rabotnicki sot luajti shumë më mirë, e deshti më shumë fitoren dhe në fund me plot meritë arkëtuan tre pikët”, u shpreh trajneri i Renovës, Qatip Osmani, pas humbjes së parë në gjysmëstinorin pranveror. Me disfatën e Renovës nga Rabotnicki, në Ligën e Parë të futbollit në vend nuk ka mbetur skuadër që s’ka humbje në gjysmëstinorin pranveror dhe me një ecuri të këtillë bëhet shumë interesante edhe lufta për kreun e tabelës, por edhe për mbijetesë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *