Home / Lajme / Botë / Të paktën tre viktima dhe mbi 140 të lënduar në shpërthimet gjatë Maratonës së Bostonit (VIDEO)

Të paktën tre viktima dhe mbi 140 të lënduar në shpërthimet gjatë Maratonës së Bostonit (VIDEO)

16 Prill – Ai tha se po inspektohen të gjitha pakot dhe çantat e mbetura në zonën rreth shpërthimeve. Ai i kërkoi publikut për të ndarë me policinë çdo video amatore që mund të jetë xhiruar dje pasdite në zonën ku ndodhën shpërthimet.

Të paktën tre persona u vranë dhe më shumë se 140 u lënduan dje, pas dy shpërthimeve gati të njëkohshme me bomba pranë spektatorëve në vijën e finishit e të maratonës së famshme botërore të Bostonit.

Boston Globe, duke cituar dy burime të policisë, njoftoi se të vdekurit përfshinin një djalë tetë-vjeçar. Një numër i viktimave pësuan gjymtime të rënda.

Zyrtarët e sigurisë thonë se të paktën dy mjete të tjera shpërthyese u gjetën pranë vendit të ngjarjes dhe u çaktivizuan.

Një shpërthim i tretë ndodhi në Bibliotekën Xhon F. Kenedi të Bostonit, në një zonë tjetër të qytetit. Nuk u raportuan viktima nga ky shpërthim, dhe nuk është e sigurt nëse shpërthimi në bibliotekën XHFK ishte i lidhur me dy shpërthimet e tjera.

Policia e Bostonit nuk ka thënë nëse shpërthimet ishin pjesë e një sulmi terrorist. Një zëdhënës i policisë tha se ekipet e çaktivizimit të bombave kontrolluan çanta dhe pako në skenën e shpërthimeve fillestare, por nuk tha nëse u gjetën mjete të tjera të pashpërthyera.

Një burim nga grupi hetimor tha se autoritetet kishin gjetur 3 pajisje të tjera të pashpërthyera, duke përfshirë edhe një në qytezën Njuton në rrethinat e Bostonit.

Ende nuk dihet motivi i sulmeve dhe autoritetet deklaruan se deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë.

Presidenti amerikan Barak Obama, në një fjalimin televiziv për këtë rast, u zotua se personi përgjegjës për sulmet “do të ndjejë peshën e plotë të drejtësisë.”

Presidenti nuk i quajti ato sulme terroriste, por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se çdo ngjarje si kjo, “është qartë një akt terrori, dhe do të trajtohet si akt terrori.”

Pamjet televizive treguan skena pasigurie, njerëz që rendnin në panik, rrugët të mbushur me mbeturina nga shpërthime, gjak, dhe punonjës të urgjencës mjekësore me barela nëpër duar.

Spektatorë të maratonës, të plagosur, u trajtuan në çadrën mjekësore që ishte ngritur për t’u kujdesur për vrapuesit e lodhur.

Në Boston, zyrtarë të policisë konfirmuan se janë në kërkim për mjete të tjera shpërthyese, por nuk dhanë hollësi të mëtejshme.

Komisioneri i policisë së Bostonit, Eduard Dejvis deklaroi për mediat se të gjitha masat janë marrë për të vendosur sigurinë dhe shmangur panikun.

“Ne kemi këshilluar njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi; ata që janë në hotele të kthehen në dhomat e tyre dhe të mos shkojnë në vende me turma. Ne duam të sigurohemi për të stabilizuar plotësisht situatën”, potencoi Dejvis

Ai tha se po inspektohen të gjitha pakot dhe çantat e mbetura në zonën rreth shpërthimeve. Ai i kërkoi publikut për të ndarë me policinë çdo video amatore që mund të jetë xhiruar dje pasdite në zonën ku ndodhën shpërthimet.

Shpërthimet ndodhën jo shumë kohë pasi vrapuesi i parë mes 23 mijë pjesmarrësve të maratonës kishte kaluar vijën e finishit. Gara u ndërpre pas shpërthimeve, ashtu si edhe shërbimi i transportit publik në atë zonë.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Ban Ki-mun i dënoi sulmet vdekjeprurëse me bombë në Maratonën e Bostonit ku ka të paktën tre të vdekur, midis të cilëve një fëmijë 8 vjeçar, ndërsa numri i të plagosurve është mbi 140.

“Kjo paraqitje e dhunës është e tmerrshme sepse ndodh në një ngjarje ku mblidhen njerëz nga tërë bota në frymë sportive dhe harmoni”, deklaroi Ban.

Mbi 25.000 pjesëmarrës nga dhjetëra shtete të botës kishte në këtë maratonë e cila konsiderohet si maratona më e vjetër qytetare në botë dhe e cila organizohet nga viti 1897.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllime më të thella deri te familjet e viktimave dhe t’u dëshiroj të plagosurve rimëkëmbje sa më të shpejtë”, deklaroi Ban.

Ministri britanik i Punëve të Jashtme Uiliam Hejt deklaroi se është i shokuar nga sulmi.

“Mendimet e mia janë me të gjitha viktimat”, theksoi Hejt në Tuiter.

Franca siguroi për mbështetje dhe solidaritet deri te SHBA-ja.

“Në këto momente të vështira, mendimet i kemi me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Dërgoj mbështetje dhe solidaritet të plotë deri te autoritetet lokale dhe federale”, deklaroi zëdhënësi i MPJ-së franceze Filip Lapio.

Policia britanike sërish po i kontrollon planet për sigurinë e Maratonës së Londrës e cila do të mbahet të dielën dhe ku priten më shumë se 30 mijë pjesëmarrës.

Ministri francez i Punëve të Brendshme Manuel Vals kërkoi nga shefat lokalë dhe forcat e sigurisë urgjentisht t’i përforcojnë patrullat nëpër shtet. Është përforcuar edhe sigurimi i ndërtesave qeveritare.

Në Japoni gjithashtu është përforcuar sigurimi në vende ku mblidhen një numër i madh i njerëzve, lajmëruan mediat lokale. Është përforcuar edhe sigurimi i objekteve ushtarake në shtet si dhe sigurimi i bazave ushtarake amerikane në Japoni.

SHPËRTHIMET NË BOSTON SHIKOHEN SI AKT TERRORIST ( VIDEO )

Gjithashtu lexo

Dy terroristë hidhen në erë në Turqi

Dy terroristë nga organizata ekstremiste dhe e ndaluar “Partia maoiste komuniste” u ngritën në erë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *