Home / Lajme / Maqedoni / USHT filloi aktivitetet për promovimin e ofertës akademike për vitin 2013/2014 (VIDEO)

USHT filloi aktivitetet për promovimin e ofertës akademike për vitin 2013/2014 (VIDEO)

Tetovë, 19 Prill – Me moton “Drejt sukseseve të reja”, tani më disa ditë me radhë, USHT-ja ka filluar me promovimin e ofertës akademike për 2013/2014. Këtë, gjatë konferencës së sotme për shtyp e bëri të ditur Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai, me këtë rast theksoi se në kuadër të aktiviteteve promovuese, siç janë, prezantimi i Universitetit në të gjitha shkollat e mesme në vendin tonë dhe organizimi i Ditëve të hapura dhe pjesëmarrja në panaire, janë një mundësi shumë e mirë për maturantët, nga vendi dhe më gjerë, që të njihen më për së afërmi me format e organizimit të studimeve, metodat e mësimit, modelin e studimeve dhe kushtet për regjistrim në fakultetet dhe programet studimore të USHT-së.

Sipas rektorit, këto aktivitete, përveç prezantimit të programeve studimore, do të shoqërohen edhe me aktivitete dhe manifestime të tjera përcjellëse, të përgatitura nga studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit tonë.

“Universiteti ynë, edhe këtë vit akademik do t’i hap dyert për të gjithë maturantët, pa dallime të përkatësisë etnike, fetare apo ndonjë përkatësie tjetër. Me këtë ofertë akademike, ne synojmë arsimimin dhe përgatitjen profesionale sipërore të brezave të rinj. Sot, Universiteti Shtetëror i Tetovës ka shënuar të arritura epokale. Ai është ngritur tashmë në një institucion arsimor dhe shkencor me përmasa kombëtare dhe rajonale, duke tërhequr kah vetja profesoratin më të mirë të vendit dhe rajonit, figurat më eminente të arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Universiteti Shtetëror i Tetovës numëron 11 fakultete, 36 programe studimore, 93 drejtime studimore dhe tre institute kërkimore-shkencore, në të cilët studiojnë mbi 15.500 studentë vendas dhe të huaj”, theksoi mes tjerash Ameti, për të shtuar se risia më e këndshme e viteve të fundit janë edhe studimet e disperzuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës nëpër të gjitha qytetet ku banojnë shqiptarët, si në Shkup, Kumanovë, Kërçovë, Dibër, Gostivar dhe Strugë, me çka arsimimi u bë i kapshëm për të gjithë, falë një politike të shëndoshë dhe vizionare, frytet e së cilës kanë filluar të vilen dhe do të vilen edhe më shumë në të ardhmen.

Rektori Ameti, po ashtu potencoi edhe angazhimin e stafit drejtues të universitetit, në drejtim të ndërkombëtarizimit të tij, duke qenë lider në nënshkrimin dhe jetësimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me shumë universitete prestigjioze vendore, rajonale dhe evropiane, si me Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”, Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës, të Zagrebit, Gracit, Manhajmit, Shtutgartit, me Universitetin e Trakisë, Ankarasë, Stambollit, Ulludagut, në Republikën e Turqisë, Universitetin e Plovdivit dhe atë të Veliko Tërnovës, në Republikën e Bullgarisë, Universitetin e Kalabrisë në Itali, Universitetin Jamk në Finlandë, Universitetin e Anglisë Lindore në Angli, me Universitetin Xhon Majson në SHBA, dhe kështu me radhë.

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në konferencën e sotme për shtyp, poashtu tha se për herë të parë në historinë e këtij Universiteti, stafi drejtues i USHT-së ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, për kualifikimin dhe avancimin e asistentëve nëpër të gjitha fakultetet dhe programet studimore në nivelin e doktoraturës, gjë e cila do t’i garantojë shoqërisë tonë një arsimim më cilësor dhe frytdhënës.

Promovimi i ofertës akademike të USHT-së, me moton “Drejt sukseseve të reja”, tani më ka filluar me pejsëmarjen në Panairin e Arsimit dhe Karrierës në Shkup dhe Panairin e Edukimit dhe Karrierës në Prishtinë, si dhe me vizitat nëpër shkollat e mesme nëpër qytetet ku ekipe të posaçme të USHT-së, prezantuan ofertën akademike para maturantëve. Aktivitetet promovuese do të përmbyllen me organizimin e “Ditëve të hapura të USHT-së 2013”, që do të mbahen në fillim të muajit të ardhshëm.

USHT FILLOI AKTIVITETET PËR PROMOVIMIN E OFERTËS AKADEMIKE PËR VITIN 2013-2014 ( VIDEO )

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *