Home / Sport / Alonso triumfon në garën e shtëpisë në Spanjë

Alonso triumfon në garën e shtëpisë në Spanjë

Fernando Alonso ka fituar Çmimin e Madh të Spanjës përballë tifozëve të tij që kanë festuar si të çmendur suksesin e parë të spanjollit të Ferrarit në pistën e Barcelonës që në vitin 2006. Kimi Raikonen me Lotus ishte kundërshtari më i madh i pilotit spanjoll në këtë garë, duke përfunduar i dyti, ndërsa vendi i tretë i shkoi Felipe Masa, i cili bëri një garë të shkëlqyer si shoku i tij i skuadrës, pasi u nis nga vendi i nëntë, për të përfunduar në podium.

Alonso bëri një garë në sulm që në fillim, duke parakaluar në të njëjtën kthesë si Kimi Raikonen, ashtu edhe Luis Hemilton që në start, për t’u ngjitur në vendin e tretë. Ndërkohë, Rosberg u mundua në të gjitha mënyrat të mbante kreun e garës deri në pit-stopin e parë, i ndjekur nga Vetel, por pas këtij furnizimi, të dy u kaluan nga Alonso, i cili shfrytëzoi ndalesën e shpejtë për të parakaluar gjermanin e Red Bull, ndërsa kaloi në xhiron e 12-të bashkëkombësin e tij të Mercedes, për të marrë kreun e garës. Rosberg u kalua menjëherë edhe nga Vetel e Raikonen, duke filluar një rënie graduale, që bëri të mbyllte Çmimin e Madh të Spanjës në vendin e 6-të.
Alonso më pas ruajti një strategji me 4 ndalesa në bokse, por Vetel që e ndiqte u pa qartësisht që nuk mbante dot hapin e spanjollit, ndonëse kishte të njëjtën strategji. Kimi Raikonen çuditi të gjithë me një strategji me 3 ndalesa dhe arriti të kalonte Vetel pikërisht në mesin e garës. Në një moment, ai u duk sikur do të kishte shanse të njëjta me Alonson për fitoren pasi të dy kishin një ndërrim gomash të mbetur për të zhvilluar. Por spanjolli, me goma më të freskëta, e kaloi pa vështirësi finlandezin, ndërsa shkoi i qetë drejt fitores, duke i lënë Raikonen vendin e dytë në podium. Vendi i tretë i shkoi Felipe Masa, i cili u tregua po aq i shpejtë sa shoku i skuadrës dhe falë strategjisë së goditur për të hyrë më shpejt në bokse, kaloi Vetel dhe u ngjit në podium. Kjo bëri që kampioni Vetel të mbyllte garën i katërti, para shokut të skuadrës Mark Ueber.
Nëse Rosberg arriti të merrte vendin e 6-të, pas një strategjie me 3 ndalesa, shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton, ishte zhgënjimi më i madh i kësaj gare. Britaniku që u nis i dyti, humbi pozicion pas pozicioni, duke bërë një garë krejtësisht anonime, për ta mbyllur atë në vendin e 12-të, i stresuar aq shumë sa edhe u kërkoi llogari mekanikëve të tij nëpërmjet radios për këtë paraqitje kaq të dobët që po bënte.
Në zonën e pikëve përfunduan me radhë Pol Di Resta (Force India), Xhenson Baton (MekLaren), Serxho Perez (MekLaren) dhe Daniel Riçiardo (Toro Roso).

Klasifikimi i Botërorit të Formula 1:
89 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
85 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
72 Fernando Alonso (Ferrari)
50 Luis Hemilton (Mercedes)
45 Felipe Masa (Ferrari)
42 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
26 Pol Di Resta (Force India-Mercedes)
26 Sebastian Groszhan (Lotus-Reno)
22 Niko Rosberg (Mercedes)
17 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
12 Serxho Perez (MekLaren-Mercedes)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *